You are here
Home > Kombëtarja > “Nuk dëshiroj Ronaldon dhe Mesin, jam Kukeli”! Burimi jep një leksion të pastër te Shqipëria: T’i hapim vendin të rinjëve

“Nuk dëshiroj Ronaldon dhe Mesin, jam Kukeli”! Burimi jep një leksion të pastër te Shqipëria: T’i hapim vendin të rinjëve

Burim Kukeli është një model i pastër i lojtarëve shqiptarë sesi duhet të luajnë dhe të sillen te Kombëtarja. “Heroi i heshtur” është quajtur gjithmonë, pasi nuk ishte prej atyre që të shënonte dhe i gjithë stadiumi të thërriste emrin e tij. De Biazi e kishte si kartën më të fortë, ndërsa të gjithë kundërshtarët përplaseshin në këtë digë të fortë përpara mbrojtjes.

Me largimin e tij Shqipëria vuajti jo pak, duke ndierë më saktësisht vlerën e Kukelit, ndërsa po shtoheshin golat e pësuar derisa doli në dritë Keidi Bare me Klaus Gjasulën. Në një intervistë për “A2 Cnn”, Kukeli vazhdon të mbetet një model për të tjerët te Kombëtarja dhe duke i dhënë një “shuplakë” të tjerëve. “Mos kërkoni famë, por të bëni detyrat e trajnerit dhe për Shqipërinë. Gjithçka lidhet me moshën dhe duhet t’i hapet vendi të rinjëve”. Janë këto dy mesazhe të forta që përcohen, ndërsa në shumë raste të tjera ka pasur polemika nga futbollistët që nuk e pranojnë dot këtë lloj realiteti.

“Te Shqipëria jam ndier gjithmonë mirë, nuk kam kërkuar të bëj famë, por të zbatoj detyrat e trajnerit dhe të bëj detyrën time. Me pozicionin që kam nuk dëshiroja të bëhesha si Kristiano Ronaldo apo Lionel Mesi, ata janë vetvetja, unë jam Burim Kukeli. Pra jemi në rregull. Koha bën që të harrohesh lehtë, por edhe djemtë që janë tani në Kombëtare janë shumë të mirë. Tifozët shqiptarë unë i falenderoj, më kanë respektuar, kaq dua. Shpresoj që të kenë mbetur të kënaqur me mua, ndonjëherë ndoshta edhe më pak kanë qenë, por ky është futbolli. Fati e deshi që debutova pak më vonë te Shqipëria. Kisha tre vite te Luzern, atje erdhi edhe Jahmir Hyka pastaj. Kombëtarja po e ndiqte Hykën dhe më pas më vështruan edhe mua, rashë në sy. Prandaj edhe Hyka ishte pjesë e fatit tim.

Pengu nga Kombëtarja? Po unë akoma nuk e kam dhënë dorëheqjen. Jo se ishte shaka kjo. Po normale se jam 36 vjeç dhe kërkohet një rinovim. Është shumë normale dhe jam falenderues. Një lojtar i vjetër duhet të zëvendësohet me një të ri, normale kjo. Tani kam nisur edhe licencën edhe si trajner. Besoj se do jap edhe një vit si futbollist, jam mirë në aspektin fizik dhe e kam vërejtur edhe në kohën e pandemisë që jam i disiplinuar. Dëshira ime është që të vazhdoj edhe një vit te Kriens si lojtar, pastaj të shkoj aty si zëvendës trajner. Por le ta shohim. Unë gjithmonë merrem me veten time. Është e lehtë t’ia lësh fajin trajnerit, por gjithçka duhet të niset nga vetja”, u shpreh Kukeli. /Sport Ekspres/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top