Amir Abrashi është ende në moshën 30-vjeç dhe ka për të dhënë ende kontribut me fanellën e Kombëtares. Por pavarësisht moshës që nuk të bën të mendosh menjëherë për fundin e karrierës, dëmtimet e herë pas hershme të këtij lojtari kanë bërë që më shumë ta shohim jashtë fushës sesa në të.
Një situatë e vështirë që përsëritet e përsëritet, duke e bërë Abrashin të mos e shijojë Bundesligën dhe në momentet që kthehet, duke qendruar në stol. Por Kombëtarja e ka pasardhësin e “pitbullit tonë”, njeriut që vraponte pafundësisht dhe bënte më tepër kilometra në fundin e ndeshjes.
Flitet pikërisht për Enis Cokajn, një nga pjesëtarët e “bandës shqiptare” te Lokomotiva e Zagrebit. Kështu quhen nga pjesa tjetër e shokëve të skuadrës pasi janë të shumtë në numër. Cokaj do të blihej nga skuadra kroate dhe u dërgua në huazim te Laçi, për të marrë më shumë minuta.
Pasi la një mbresë të mirë në Superiore, u kthye në Kroaci për të fituar vendin e titullarit të padiskutueshëm. Gjithashtu edhe në debutim me Shqipërinë U-21 ka treguar agresivitetin e lartë ndaj kundërshtarëve, duke thyer aksionet që në mesfushë dhe duke treguar muskujt.
Një lojtar thuajse i ngjashëm me Abrashin në tipologjinë dhe karakteristikat, fizikun, madje edhe më mirë nëse flasim për hapjen e lojës dhe nuhatjes që mund ta dërgojë aksionin te goli. Lirim Kastrati do të shprehej në intervistën e fundit se Enis Cokaj do të kalojë në një skuadër të madhe në fundin e sezonit. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një informacion sekret dhe nëse ka një emër që ka shfaqur interesimin, por pakkush që e ka parë këtë futbollist ka dyshime se deri ku mund të mbërrijë. Enis Cokaj vetëm sapo ka filluar…