Altin Lala ka bërë një rrëfim të gjatë sa i përket karrierës së tij si futbollist duke zgjedhur momentet që nuk do të harrojë kurrë, por edhe në aventurën e re si menaxher. Aktualisht ka nën administrim edhe Milot Rashicën, yllin e Ëerder Bremenit që më parë ka luajtur me Shqipërinë dhe tani është pjesë e Kosova. Figura e njohur e Shqipërisë është shprehur se ky kalim ishte llogjik ndërsa nëse De Biazi do e merrte në Europian, do të vazhdonte të ishte pjesë e kuqezinjëve. Kjo është intervista e dhënë prej tij në “Fan Zone”:
Si po i kalon ditët në izolim?
Nuk kam qenë shumë i izoluar. Kam qenë në lëvizje për çështje pune në fakt dhe nuk e kam ndjerë shumë këtë periudhë të vështirë.
Cila ndeshje te Kombëtarja të ka ngelur në mendje?
Pyetje shumë e vështirë. Për mendimin tim kemi bërë 2-3 ndeshje ku kemi luajtur shumë mirë në 2004-2005. Në kohën time ajo ka qenë periudha shumë e mira, ndonëse nuk ia dolëm të kualifikohemi në Europian. Me Greqinë ka qenë një ndeshje shumë e veçantë, ku atmosferën e tifozëve aty nuk e kam parë as në Gjermani.
A e kujtoni ndeshjen me Gjermaninë në Leverkusen?
Kanë qenë vitet 2000 dhe kemi pasur lojtarë shumë cilësorë, që kanë qenë në formacione në klubet e tyre. Ka pasur edhe luhatje, pasi ka qenë edhe kohë tranzicioni në Shqipëri. Kemi pasur fatin që dolëm jashtë, ku fituam goxha eksperiencë.
Keni dalë nga klubi i Dinamos, a e keni menduar ndonjëherë të investoni aty?
Është skuadra ime e zemrës me të cilin kam qenë edhe tifoz që i vogël. Dinamo nuk ka as klub, as fusha, as një strukturë të mirëfilltë. Për momentin nuk di gjë, por ndoshta në të ardhmen mund të bëj diçka për këtë klub.
Pse mendoni se Rashica zgjodhi Kosovën e jo Shqipërinë?
Ai u largua nga Shqipëria sepse nuk e morën në Europian. Ai do të kishte qëndruar nëse e merrnin. Mendoj se ishte logjike që ai të kalonte te Kosova, pasi aty është vendi ku ka lindur. Futbollistët nuk e mohojnë që janë shqiptarë, por vendosin të luajnë për Zvicrën ose Kosovën, nuk ka ndonjë të keqe, aty e shohin më mirë ata. Ne i futemi politikës dhe pse nuk marrim vesh.
Kohët e fundit është folur për një kalim të tij te Liverpooli…
Çdo gjë është ndaluar dhe për momentin e rëndësishme të nisë futbolli dhe më pas ta marrin veten klubet. Për momentin nuk mund të them asgjë.
A mendoni se Kosova mund t’ia dalë të shkojë në Europian?
Kosova ka shanse shumë të mira të kualifikohet në Europian. Kanë bërë ndeshje shumë të mira dhe kanë kualitete të fitojnë të dyja ndeshjet. Nuk e di si do të jetë gjendja fizike e lojtarëve.
Po Kombëtaren Shqiptare si e shihni në këto momente?
Shqipëria ka djem të rinj. Broja dhe Kumbulla premtojnë shumë në klube të mëdha. Ka elemente të rinj dhe do të përforcohet Kombëtarja. Shpresoj që në të ardhmen të kualifikohemi përsëri në Europian. E kisha ëndërr ta shikoja Kombëtaren ne Europian dhe ia arrita asaj dite, ndonëse nuk isha si futbollist në 2016.