Sot është një ditë e veçantë për portierin shqiptar, Thomas Strakosha, i cili feston ditëlindjen e tij. Fatkeqësisht rrethanat nuk janë ato të cilat gardiani i Lazios, apo çdokush tjetër, do të donte të kishte në 25-vjetorin e tij. Italia është e gjitha në izolim dhe po përballet me një nga periudhat më të errëta të historisë së saj, ku numri i pacientëve të prekur nga Koronavirusi, si dhe viktimat e lëna pas prej tij po shtohen dita ditës. Në një moment të tillë kur te fqinjët përtej Adriatikut mendohet për jetë a vdekje nuk ka vend për Strakoshën që t’u fryjë qirinjve për dëshira vetjake, por lutja e vetme që po bëhet nga të gjithë në botë është që kjo gjendje të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkohë klubi i gardianit kuqezi së bashku me Igli Taren e kanë gati dhuratën në këtë 25 vjetor dhe ajo është pikërisht rinovimi i kontratës. Megjithatë Lazio ka menduar pak edhe për veten me një dhuratë e tillë, pasi do të kishin mundësinë të mbanin portën e tyre të sigurt deri në vitin 2025, ndërsa Strakosha do të kishte përfitime më të mëdha financiare nga e gjithë kjo, pa lënë pa përmendur edhe faktin se mund të prekë me duart e tij edhe trofe të rëndësishëm, aq më tepër duke parë formën fantastike që bardhekaltrit po tregojnë.