Atalanta po përjeton tani ëndrrën e vetë, teksa mposhti bindshëm Valencian dhe preu biletën për në çerekfinalet e kompeticionit më prestigjoz për klube, Champions League. Një pikë kyçe në skuadrën e Gasperinit është edhe mbrojtësi shqiptar, Berat Gjimshiti. Ky i fundit është një titullar në 11-shen e Atalantës dhe ka treguar vlera dhe nivel të lartë në fushën e lojës.
Një gjë e tillë ka rënë edhe në syrin e medias së njohur “Goal”, që i ka përgatitur edhe një artikull futbollistit kuqezi. E nisin që nga periudha e dy viteve më parë, kur mbante veshur fanellën e Beneventos, me të cilët numëronte plot 14 humbje rresht. Për të arritur më pas në vetëm pak kohë te mrekullia me emrin Atalanta, ku po kalon edhe arritjet më të mëdha në karrierën e tij. “Goal” nuk i kursen elozhet për Gjimshitin, ndërsa thekson se shqiptari e ka treguar më së miri se e meriton plotësisht vendin e tij në skuadrën e Gasperinit.