Të jesh nën urdhërat e një legjende si Steven Gerrard, sigurisht që nuk është pak dhe do të thotë shumë për aftësitë që zotëron. Florian Kamberi e di më së miri këtë, teksa shkoi nga Hiberniani te Rangersi në merkaton e janarit.
Menjëherë arriti të fitonte besimin e trajnerit Gerrard, që i ka besuar aq shumë, aqsa e nisi nga minuta e parë në ndeshjen e kthimit ndaj Bragës në “Europa League”, atje ku vendosej gjithçka. Prova dhe detyrat u zbatuan me sukses, megjithëse nuk arriti të shënonte. Menjëherë pas ndeshjes Kamberi ka folur edhe për mediat, duke treguar privilegjin e madh që ka për të mbrojtur fanellën e gjigandëve skocezë.
“Sa herë që luaj me Rangersin, e shijojë privilegjin për të luajtur me këtë fanellë. Tani kemi shkuar në 1/16-at e “Europa League” në fazën tjetër dhe kjo është një atmosferë e pabuesueshme për mua, por edhe për skuadrën. Mund të shënoja në pjesën e parë, por e di çfarë? Nuk ka rëndësi! Me rëndësi është që ne fituam 1-0 dhe nuk ka rëndësi se kush arrin që të shënojë.
Që nga momenti i parë në stërvitje unë jam përshtatur shumë me ekipin, e gjeta veten menjëherë. E kisha shumë të lehtë te Rangersi, pasi ma kanë bërë jetën shumë të lehtë këtu. Trajneri, skuadra, është vërtet e pabesueshme dhe e theksoj privilegjin që kam për këtë skuadër duke shpresuar që të vazhdojmë me mbrëmje të tilla”, u shpreh Kamberi.