Xherdan Shaqiri ka fituar një tjetër trofe në karrierën e tij, ndërsa me Liverpulin arriti të merrte Superkupën e Europës. Ekipi i Klop ia doli kundër Chelseat falë ruletës ruse, ndërsa koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën në shifrat 2-2.
Menjëherë pas mbarimit të ndeshjes, Shaqiri ka folur shqip në intervistën e tij pasi prezente në Instabul ishte edhe “RTK”. “E ardhmja ime? Unë ndihem shumë mirë këtu, kam një të ardhme shumë të gjatë nga kontrata. Megjithatë në futboll nuk i dihet se çfarë ndodh”, do të shprehej Shaqiri.
Gjithmonë sa i përket fjalëve të lojtarëve në intervista, duken sikur janë një kasetë e rregjistruar. Të njëjtën situatë Shaqiri u paraqiti edhe mediave të huaja që ishin të interesuara për të ardhmen e tij, ndërsa u përfol edhe për një kalim te Galatasaray. “Jo nuk e kam marrë asnjë ofertë nga Galatasarai. Unë jam i lumtur në “Premier League” dhe që luaj me një ekip shumë të mirë. Por nuk e dimë se çfarë mund të ndodh në futboll”, ka thënë Shaqiri. /Shqiperia.ch/