
Në shtator priten zhvillime të reja jo vetëm sa i përket rezultateve që do të kemi nga Kombëtarja dhe Përfaqësuesja e Kosovës, por edhe sa i përket zgjedhjeve të disa lojtarëve. Kështu, një enigmë e madhe mbetet vendimi i Florian Kamberit.
Sulmuesi i Hibernianit është më pranë Kosovës dhe Shqipërisë, pasi Zvicra nuk i ka hapësirat e nevojshme për të. Por ndërkohë te dardanët kjo çështje po trajtohet si dytësore, pasi “dashuria e re” quhet Kemal Ademi.
Ky i fundit është ylli i ri i Bazelit që e ka zëvendësuar menjëherë Albian Ajetin. Pas largimit të Ajetit te West Hami, Ademi po tregohet i jashtëzakonshëm në realizimin e golave. Aktualisht ky sulmues nuk përfaqëson askënd dhe në Kosovë presin afrimin e tij.
Nëse do të bëhej e mundur, atëherë konkurrenca me Vedat Muriqin do të ishte e madhe, pa harruar edhe Atdhe Nuhiun. Në këto kushte edhe Florian Kamberi afrohet më tepër me Shqipërinë, pasi në këtë aspekt janë kuqezinjtë që vuajnë më tepër. /Shqiperia.ch/