
Di Maria ka bërë një shkrim vërtet rrënqethës dhe emocionues sa i përket mënyrës sesi vetë futbollisti i PSG-së e përjeton këtë sport. Për ta nisur që me mënyrën sesi shihet nga të tjerët futbolli, e për ta përfunduar me vetë mënyrën sesi përjetohet.
Padyshim që ka dallime të mëdha, pasi nuk është vetëm një lojë që tërheq 22 njerëz pas një topi. Përkundrazi, është shumë më shumë sesa kaq. Madje edhe vetë fjalët e fundit të kësaj letre nga ana e Di Marias, e thonë qartë: “Nuk e di sesa dinë nga jeta, por nga futbolli, nuk dinë asgjë.
“Çfarë bëre të hënën? Shkova të stërvitem! Çfarë bëre të martën? Shkova të stërvitem. Çfarë bëre të mërkurën, të enjten dhe të premten? Shkova të stërvitem. Do bëjmë diçka në fundjavë? Nuk mundem, duhet të luaj.
Stërvitja mbaroi, në këmbë, me çantën në krahë, ndalon për një moment dhe fikson fushën, zhulin, gurat, barin, vendin ku luajmë. Ajo tokë dhe ato gurë ku njëherë e një kohë rrëzoheshim dhe gërvishnim gjunjët, bërrylat, duart. Ajo tokë dhe ato gurë që na bezdisnin teksa luanim, ajo tokë që na ka bërë zhul gjithë shtëpinë dhe dëgjonim nënën teksa na thoshte: “Lëri jashtë këpucët dhe shko lahu shpejt!”.
Çfarë na jep forcë çdo vit për të nisur kampionatin? “Eshtë më mirë futbolli me pesë lojtarë”, të thonë miqtë. “Nuk jemi kurrë bashkë”, të thotë e dashura. “Mendo të studiosh dhe punosh”, të thonë familjarët. “T’i reflekton dhe buzëqesh. Ku e dinë ata se çfarë do të thotë futbolli për ty? Ku e dinë ata se sa nerva dhe tension ke përpara një ndeshje dhe që nuk mund të flesh? Ku e dinë ata se sa ndeshje ke luajtur me dhimbje dhe i dëmtuar? Ku e dinë ata atë që provon kur shënon dhe shokët e ekipit të përqafojnë të dëshpëruar? Ku e dinë ata se sa herë ke vrapuar për të ndjekur autobuzin ose të ecësh në këmbë pesë blloqet e fundit për të mos mbërritur vonë në stërvitje? Ku e dinë ankthin kur trajneri po jep formacionin? Ku e dinë ata se si është përgatitja kur miqtë e tu janë të gjithë me pushime dhe zbaviten?”.
Ku e dinë ata se çfarë do të thotë të gjendesh çdo ditë me personat që shënojnë jetën tënde, miqtë e të qeshurave dhe lotëve? Ku e dinë ata se sa shi të ka rënë mbi kokë ndërsa stërviteshe? Tokë, gura dhe bar! Dhjetë persona me ty, 11 nga ana tjetër, një top dhe vërshëllima”. “Kjo është jeta jonë, po ata ku e dinë këtë gjë? Shumë persona thonë që futbolli nuk ka të bëjë aspak me jetën. Nuk e di se sa dinë nga jeta. Por, mbi futbollin, nuk dinë asgjë!”