Ndeshja më veçantë e turit të dytë në “Champions League” dhe që kishte interesin më të madh, ishte ajo mes PSV-së dhe Bazelit e mbyllur në shifrat 3-2. Në një përballje të tillë nuk kishin sesi të mungonin edhe tifozët shqiptarë, duke parë numrin e lartë të lojtarëve që vijnë nga treva jonë dhe që luajnë me ekipin e njohur zviceran.
Njëri prej sportdashësve që zgjodhi të ishte në stadium quhet Riza Mynyri, nga qyteti i Beratit. Me dashuri të madhe për trojet e tij, aqsa edhe emrin e djalit e ka vendosur Lorik, i frymëzuar nga kapiteni legjendar i Shqipërisë, Cana.
Mynyri ka biseduar paksa me të gjithë lojtarët shqiptarë te Bazeli, ndërsa vëmendjen e mediave e mori pas fotos me Albian Ajetin, sulmuesin e zviceranëve. Një moment ku vetë futbollisti ka bërë një fotografi me flamurin shqiptar, ndërsa menjëherë do të shkonin edhe televizonet holandeze për të mos i shpëtuar ky moment.
Në një prononcim ekskluziv për “Shqiperia.ch”, Mynyri ka rrëfyer gjithë eksperiencën e veçantë: “Biseda me Albian Ajetin ishte e shkurtër, por e veçanta ishte se ma mori vetë telefonin për të bërë një “selfie” me mua dhe flamurin më të bukur në botë. I thirra vetëm nëse mundej që të kishim një foto me flamur në dorë dhe mu përgjgi pozitivisht. I shkëlqyen sytë pasi pa ngjyrat kuqezi dhe u ndieva i emocionuar. Kamerat e televizioneve mbërritën menjëherë te ne.
Në përfundim të ndeshjes kam shkuar te pankina e Bazelit. Kam folur edhe me Edon Zhegrovën, por dialektet tona ishin pak të ndryshme, unë vij nga Berati dhe djaloshi nuk besoj se e ka dëgjuar shumë dialektin tonë jugor. Thirra edhe Taulant Xhakën, por nuk kishte kohë pasi do të shkonte në dhomat e zhveshjes. Iku me një buzëqeshje pasi më pa duke folur me Zhegrovën, ndërsa disa lojtarëve të tjerë të Bazelit u bëri përshtypje: “Albania?”. Këtë pyetje më bën dhe u përgjigja me krenari se vij nga ky vend”, ka thënë tifozi shqiptar nga Berati. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/