Kosova nuk është një histori suksesi e çfarëdoshme, por forca e djemëve të luftës, që të rritur në torturën dhe vuajtjet e asaj kohe, ia dolën fillimisht në betejën më të vështirë, atë ndaj jetës. Të forcuar edhe më shumë në vendet europiane, u rikthyen për të dhënë kontributin e tyre edhe nëpërmjet futbollit, për t’i dëshmuar botës edhe njëherë forcën reale të shqiptarëve.
Këtë e dëshmon më së miri rasti i Florent Bojaj, sulmuesi që aktualisht luan me ekipin e Etarit në Bullgari. Ky futbollist ka arritur të shënojë 5 gola në këtë sezon, ndërsa më parë ka përfaqësuar edhe të rinjtë e Shqipërisë.
Nga Kosova ka ikur nëpërmjet kamionit drejt Anglisë, për shkak të luftës. Në vendin e ri do të niste të formohej edhe në aspektin e futbollit, duke kaluar disa klube angleze. Gjatë një rrëfimi emocionues për “ITV”, Bojaj flet për jetën e tij, ndërsa një ftesë e Kosovës A ndaj Anglisë do të ishte më shumë se simbolike për të, ndoshta ndeshja e jetës dhe karrierës.
“Ne shkuam në Angli si refugjatë për shkak të luftës. Ikëm nga vendi për t’i shpëtuar rrezikut dhe Anglia ishte vendi ynë fatlum. Ka qenë shumë vështirë për të ikur nga vendi (Kosova), ne u futëm vjedhurazi në Angli përmes një kamioni kur nëna ime ishte shtatzënë.
Anglia është vendi më i mirë për të luajtur futboll në gjithë botën. Ka qenë madhështore të luaja futboll në oborrin e shtëpisë si fëmijë. Kur u zhvendosem në Borehamëood, gjithmonë luaja vetëm futboll.
Unë po luaja në kolegj dhe një agjent erdhi për ta vëzhguar një futbollist tjetër, por më pa mua, dhe pas ndeshjes më kontaktoi dhe më pyeti nëse isha i interesuar për të shkuar në prova. Fillimisht shkova në prova në Crystal Palace për tri javë dhe më ofruan kontratë gjashtëmujore, por agjenti më tha se më mirë do të ishte sikur të shkoja në Huddersfield. Shkova atje për rreth një muaj dhe nënshkrova kontratë si student. Nga një hiç u bëra student (futbolli) në Huddersfield.
Ka qenë shumë e vështirë për t’u rehatuar aty. Më mungonte shumë shtëpia në fillim dhe ishte e vështirë. Por thosha me vete se këtë nuk po e bëja veç për vete por edhe për familjen dhe dal ngadalë gjërat u përmirësuan dhe bëra miq e nuk më mungonte shtëpia më. Ia ka vlejtur edhe pse ishte shumë e vështirë për shumë kohë të gjatë, sepse shumë njerëz do të hiqnin dorë. Por, debutova dhe ndihesha seç herë e më mire.
Ndër synimet e mia tani është të marr ftesë nga Kosova. Është shumë e vështirë ama. Së fundmi e kam marrë pasaportën e Kosovës dhe agjenti im është duke folur me disa persona nga Federata Kosovës sepse më kanë vëzhguar në disa ndeshje. Ata kanë thënë se do të më kenë parasysh. Një ditë do të luaj për Kosovën 100%”, ka thënë Boja. /Shqiperia.ch/