
“Shqiperia.ch” publikon pamjet e golave të Shqipërisë U-21, që fitoi në miqësoren e djeshme me rezultatin 2-1 ndaj Uellsit. Të dyja realizimet kanë ardhur nga ana e sulmuesit të Chelseat, Armando Broja.
I futur në fushën në pjesën e dytë, ky futbollist do të vendoste edhe historikun e ndeshjes. Nuhatje e jashtëzakonshme në portën kundërshtare, por ndaj Uellsit vërehet edhe një cilësi tjetër e Brojës. Bëhet fjalë për sprintin e jashtëzakonshëm të këtij sulmuesi, që dukej sikur të ishte “Usain Bolti” me shpejtësinë ndaj kundërshtarëve.
E gjitha kjo u vu re më së tepërmi në golin e parë, atje ku i është lënë targa mbrojtësit të Uellsit, pavarësisht sesa pëparësi kishte në kontrollin e topit. Kjo panoramë u përsërit edhe në golin e dytë, atje ku Armando Broja do të gjente rrjetën, duke rrëmbyer një top pas pasigurisë së rivalit. /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/