
Edgar Çani përbën një rast të rrallë sa i përket lojtarëve shqiptarë në Europë. Në moshë fare të vogël, sulmuesi shqiptar u gjend papritur në majën më të lartë. Kjo pasi Çani ishte vetëm 18-vjeç, atëherë kur do të luante në Serinë A me ekipin e Palermos.
Duke parë rastet e futbollistëve shqiptarë dhe sakrificat e shumta që kanë bërë për të mbërritur deri në këtë pikë, padyshim që fati u tregua shumë bujar për sulmuesin në fjalë. Të gjithë e shihnin si shtyllën e Shqipërisë dhe garancinë e së ardhmes, nisur edhe nga struktura e trupit të Çanit, që u etiketua edhe si zëvendësuesi ideal i Erjon Bogdanit.
Tani që flasim 11 vite më vonë pas asaj eksperience te Palermo, shifrat janë një skandal i vërtetë. Sulmuesi shqiptar ka ndërruar 12 ekipe, ndërsa këtë sezon me ekipin e Vibonesen ka realizuar 2 gola. Pra në moshën 29-vjeçare e sheh veten në një perëndim të parakohshëm. Sepse gjithmonë “shkallët janë më të mira se ashensori”. Mjafton të shihni rastin e Klaus Gjasulës, që e nisi karrierën në ligat më amatore të Gjermanisë, por duke kaluar të gjitha divizionet në atë vend, do të jetë pjesë e Bundesligës në sezonin e ardhshëm. /Shqiperia.ch/