Një rasti i rrallë vjen nga Kosova U-21, atje ku janë bashkuar dy futbollistë me të njëjtin emër dhe mbiemër, Lirim Kastrati. Shumë të përbashkëta mes tyre, madje edhe mosha 20-vjeçare, ndërsa ajo që ndryshon është roli në fushën e blertë.
Njëri luan si mbrojtës dhe i përket Bolonjës në Itali, ndërsa tjetri është sulmuesi që luan me Lokomotivën e Zagrebit. Një intervistë e veçantë dhe komike vjen nga “Sporti në KTV”, atje ku dy lojtarët flasin për rastin e pazakontë.
Kastrati që luan në Kroaci tregon gjithçka më detaje, ndërsa thekson faktin se e mori si tallje fillimisht kur e takoi për herë të parë lojtarin e Bolonjës që është rritur te Roma.
“Kemi luajtur para 3-4 viteve një ndeshje, rastësisht e kam takuar dhe jemi njohur që atëherë, tani e kam shokë shumë të mirë. Kemi pasur një ndeshje ne që ishim pjesë te Kosova në Itali, një miqësore kundër Romës. Unë nuk e dija se ishte një shqiptar që luante me Romën. Kur kisha një duel, më tha në shqip: “Çohu, çohu”. Mu duk e pabesueshme që një lojtar i Romës të fliste shqip. E pyeta për emrin: “Lirim më tha”. E pyes për mbiemrin: “Kastrati më tha”.
Mendova mos ishte shaka, se më njeh dhe i ka treguar dikush tjetër. Ishte e pabesueshme që të ketë një tjetër futbollist me të njëjtin emër mbiemër. Të gjithë na ngatërrojnë, mua më thonë që kam ardhur nga Roma dhe kam kaluar te Lokomotiva”, ka thënë futbollisti i Lokomotivës së Zagrebit.
Nga ana tjetër, për ngatërrimin e bërë nga ana e mediave, ka folur pak edhe Lirim Kastrati i Bolonjës. “Është gjithmonë mirë se jemi shokë, para se të jemi futbollista. Kemi emër, mbiemër të njëjtë. Edhe mua më ka ndodhur që mediat të na ngatërrojnë, por nuk është problem kjo sepse nuk na e ndërrojnë karrierën”, është shprehur Lirim Kastrati. /Shqiperia.ch/