You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Lala i rrëfen të gjitha: Prisni Kombëtare edhe nga Çamëria, kapiteni nuk shihet te ulërimat

Ekskluzive/ Lala i rrëfen të gjitha: Prisni Kombëtare edhe nga Çamëria, kapiteni nuk shihet te ulërimat

Altin Lala është figura legjendare e Kombëtares së Shqipërisë. Këtej dhe andej kufirit, i lindur për të qënë një ikondë, nuk mund të harrohet kurrsesi edhe lamtumira që i bëri Hanoveri. Në një stadium të stërmbushur, gjithë tifozët gjermanë brohorisnin me pankarta në duar: “Altin Lala”.

“Shqiperia.ch” e ka kontaktuar këtë përsonalitet të kuqezinjve, i cili ka rrëfyer gjithçka sa i përket  Kombëtares, Milot Rashicës, pa harruar edhe aplikimit që u bë për të marrë postin e drejtorit sportiv te Hanoveri.

Hanoveri bie nga “Bundesliga”. Një mendim nga ana juaj që si u mbërrit deri në këtë pikë dhe sa të vërtetë ka nga ajo që u zbulua në mediat gjermane, për kandidimin në postin e drejtorit sportiv?

Për mua është pak keqmenaxhimi i katër-pesë viteve të fundit, që nuk po krijojnë grupin e mirë në blerjen e lojtarëve. Nëse nuk ke një projekt, atëherë është shumë e vështirë. Kjo ishte pika kryesore se përse Hanoveri nuk ka qartësi. Vjen një trajner që ka ide të caktuara duke blerë disa futbollistë, pastaj vjen një tjetër që ka ide komplet të tjera dhe i heq lojtarët. Kështu nuk merret rendimenti i duhur. Sa i përket kandidimit tim, ishte një ide e përbashkët me një tjetër lojtar që ka qënë pjesë e Hanoverit më parë. Unë faktikisht nuk isha edhe shumë optimist. Në futboll ka edhe president ekipi që janë të vështirë. Jo të gjithë kuptojnë nga futbolli. Unë e kam presidentin e Hanoverit mik në fakt, por miqësia dhe mirënjohja është njëra anë, ndërsa puna është tjetra.

Ndërkohë me Milot Rashicën ka qënë nuhatja jote me e madhe. Realisht, e prisje që në fillim se ky lojtar mund të mbërrinte deri këtu dhe çfarë të ka tërhequr te Rashica që në fillim?

Rashicën që kur e kam parë herën e parë, 5-6 vite më parë, më bëri përshtypje. Për 20 minuta që e kam ndjekur atëherë, ka pasur ato dhunti për atë që kërkon futbolli, kishte shumë talent. Duke parë vështirësitë që ka pasur edhe në Kosovë, sigurisht që nuk ishte e lehtë rruga. Kampionati ka qënë nën nivel dhe ligat nuk kanë qënë tërësisht profesionale, pavarësisht se gjërat tani kanë ndryshuar rrënjësisht edhe në Kosovë. E kam thënë që më herët për Rashicën dhe disa më kanë kritikuar. Ky lojtar ka aq talent sa për të luajtur në finalen e “Champions League”. Pati vështirësi fillimisht në Bundesligë sepse kishte diferenca mes futbollit të luajtur në Holandë dhe atij në Gjermani.

Shqipëria përgatitet për dy ndeshjet e rradhës. Shtrëngim Panuçi dhe liri Reja. Kush prej këtyre sjelljeve i bën më mirë shqiptarëve?

(Qesh) Gjithmonë jemi mësuar me këto rregullat e rrepta ne. Përtej kësaj kësaj pjese, Reja është zgjedhja e duhur. Me rëndësi që çdo gjë të funksionojë dhe pastaj do të jemi të gjithë të lumtur, mund të japi një impuls të ri Kombëtares. Por nga ana tjetër tani nuk kanë justifikime më as futbollistët sa i përket pjesës së trajnerit për rezultatet.

Ndërkohë një fenomen i fundit për të cilin kemi folur, është vënia në pozitë e lojtarëve. Shpeshherë pyeten futbollistët tanë nëse janë penduar që nuk kanë zgjedhur Kosovën, si në rastin e Ismajlit. Sa jemi duke i rënduar vetë protagonistët?

Shiko, lojtarët janë individë dhe secili ka këndvështrimin e tij. Në fund, nëse ke vendosur të bësh një zgjedhje, ke marrë parasysh gjithçka. Sidomos kur një shqiptari i Kosovës vjen te Shqipëria, i ka menduar më parë edhe këto çështje. Tani prisni kur të formohet edhe ndonjë Kombëtare nga Çamëria. Nuk dua të bëhem shumë i flaktë, por e mira do të ishte të ishim bashkë.

Si e komenton listën e fundit të Shqipërisë? E drejtë ftesa për Grezdën me një sezon që lë për të dëshiruar dhe lënia jashtë e Çekiçit, që dje fitoi Kupën e Sllovenisë? Pa harruar Baren, Manajn…

Grezda e ka një bonus që ka bërë ndeshje të mira më herët. Këto janë zgjedhje të trajnerit, ka njëfarë eksperience dhe luan në Gllasgou. Duhet të ftohet përsa kohë nuk është i dëmtuar. Djemtë e rinjë mund të luajnë me ekipet e tyre dhe ftesa do t’i mbërrijë, megjithëse në këtë moment nuk ndihen mirë. Por ata janë të rinjë dhe do e arrijnë Kombëtaren.

Po sa i përket Shkëlzen Gashit? Tani është pa ekip, por mund të jetë në prespektivën e Kombëtares një rikthim?

Kombëtarja thërret lojtarët më të mirë, nuk ka lidhje mosha. Sigurisht, pa skuadër është edhe më e vështirë. Gashi e ka këtë shumë problem për të mbërritur te Shqipëria, pasi nuk e ka ekipin. Pastaj mos të harrojmë që Reja tani ka mbërritur dhe sapo fillon t’i njohë lojtarët.

Erdhi koha që të rrimë me stilolapsin në dorë, që në ndeshjen e tretë. Duhet të kënaqemi edhe me një pikë me Islandën dhe të presim dhuratat nga ndeshjet e tjera, apo t’i rrisim shanset vetvetes duke kërkuar me patjetër fitoren në këtë transfertë?

Futbolli nuk planifikohet asnjëherë, shihni “Champions Leaguen” në këtë sezon. Unë mendoj se duhet të shkohet pa komplekse. Islanda është një ishull me 300.000 banorë, një vend kaq i vogël dhe që po njihet në gjithë botën. Ata janë favoritë, por edhe ne duhet të shkojmë për t’i marrë maksimumin asaj ndeshje, jo të futemi për një pikë.

A mendon se skema 3-5-2 e trajnerit Reja është një kurth për kundërshtarin? Kartat janë hapur më shumë seç duhet dhe një trajner me eksperiencën e Rejës, nuk mund të shitet kaq lehtë…

Trajneri duhet t’ia ngulë në kokë lojtarëve në një kohë të shkurtër, që ata janë së bashku. Pastaj sa i përket modelit, varet edhe nga interpretimi. Kjo sepse 3-5-2 mund të përkëthehet edhe me 5 mbrojtsa kur vjen në fazën e mbrojtjes. Të njëjtën skemë e ka përdorur edhe Konte te Juventusi, mua më pëlqen si model.

Çfarë vlere ka vërtet shiriti i kapitenit për një skuadër apo Kombëtare? Që pas largimit të Canës, shohim shirita që ndërrojnë shumë krahë, por asnjë kapiten.

Kombëtarja është çështje respekti, e kam thënë edhe më herët. Kapiten je kur merr përgjegjësi, jo kur ke vendosur shiritin. Lojtarët e vjetër kanë më tepër siguri, por kjo nuk është e thënë. Lider mund të jetë edhe një futbollist i ri. Zakonisht ne jemi mësuar që kapiten të quhet një lojtar që bërtet dhe ulëret, por kjo nuk ka shumë kuptim. Te Gjermania kishin Lahmin, që po e kritikonin atëherë se përse nuk shpalleshin kampion bote. Unë kam luajtur vetë përballë tij, Lahmi nuk ishte njëri që bërtiste, madje ishte aq i qetë sa nuk i dëgjohej zëri në fushë. Pra kapiteni nuk është ai që ulëret më shumë.

Rasti i fundit i Guidarës është unik te Shqipëria. Futbollisti në fjalë po mendonte Kombëtaren, pasi e drejtonte një trajner me emër si Panuçi. Sapo ky i fundit u largua, u tha se do të priste Argjentinën. E mendoje ndonjëherë se një lojtar mund të afrohej te Shqipëria vetëm për emrin e trajnerit?

Le të shkojë te Argjentina tani. Në fund të fundit, ai nuk e dinte se ku i binte Shqipëria dhe dyshoj edhe për gjuhën. Nuk është serioze! Unë e thashë edhe në intervistën time të fundit me ju, që Kombëtarja nuk mund të kthehet në “stan”. Të thërret njëherë dhe ti e ke marrë aty vendimin. Është e gjitha çështje krenarie, por Guidara le të shkojë nga Argjentina tani. Megjithëse të ishte kaq i mirë, edhe ata nuk do ta linin. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

 

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top