Jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe lajmet për shumë prej mediave, vijnë shpeshherë prej andej. Ndonjëherë mjafton një foto e vetme, edhe atëherë kur protagonisti është duke kaluar kohën e lirë dhe nuk ka për qëllim të krijojë asgjë të zhurmshme, për të kaluar në faqet e para të mediave sportive.
Kjo ka ndodhur edhe me yllin e Bundesligës, Elvis Rexhbecaj. Lojtari i Wolfsburgut është një nga talentet e spikatura në këtë sezon dhe më të mirët në kampionatin gjerman. Aktualisht ky futbollist nuk ka luajtur për asnjë Kombëtare, ndërsa kohë më parë u shpreh se e ëndërronte ftesën e Gjermanisë.
Sigurisht që ëndrrat nuk kushtojnë dhe kjo është e mira e tyre, por me këmbët në tokë, Rexhbecaj është mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pas një sezoni të mbyllur, mesfushori ka postuar një foto në “Instagram” që tregon se po vjen në Kosovë, për pushimet e nënkuptuara. Por kaq ka mjaftuar që mediat të nisin me titujt e tyre bombastikë, pa u bazuar askund: “Rexhbecaj po bëhet gati për dy ndeshjet e rradhës të Kosovës”. /Shqiperia.ch/