
Pas një sezoni të mirë që zhvilloi me Lokomotivën e Zagrebit, Myrto Uzuni do të rikthehet për të dhënë kontributin e tij te Kombëtarja. Këtë herë është momenti i së vërtetës, pasi Shqipëria ka ndeshjen ndaj Islandës dhe Moldavisë, ku luan gjithçka për shanset e kualifikimit në Europian.
“Shqiperia.ch” ka kontaktuar futbollistin, për t’i marrë një intervistë përpara axhendës së ngjeshur që kanë kuqezinjtë, pasi do të udhëtojnë në Frankfurt për të vazhduar stërvitjen, e në fund për të mbërritur në Islandë. Uzuni shprehet se trajnerin Panuçi do e kujtojë gjatë, si i pari që i dha mundësinë të debutoj me Shqipërinë.
Si e komenton sezonin me Lokomotivën e Zagrebit. Kujtimi më i bukur dhe pengu i kampionatit?
Mendoj se kemi bërë një pjesë të parë të sezonit shumë të mirë, të shkëlqyer mund të them. Fazën e dytë gjërat nuk na ecën mirë, por fundja ky është futbolli. Kujtimi më i bukur ka qënë goli kundrejt Hajdukut, në atë stadium të mbushur me aq shumë tifozë.
Merkaton e dimrit pak zëra, ndërsa në verë pritet që të kemi më shumë të reja rreth një transferimi tënd në një ekip më të madh. E përjashton si mundësi?
Përsa i përket merkatos, unë jam lojtar i Lokomotivës së Zagrebit dhe klubi kroat po pret oferta për mua.
Konkurrenca rritet te Kombëtarja, pas rikthimit të Roshit. Mund të adoptoheshe me një skemë, ku të dy të luani nga minuta e parë?
Kombëtarja? Atje jemi të gjithë njësoj, si ata që mund të luajnë në fushë, edhe ata që janë në stol. Këtu nuk flitet për klub, pasi përfaqësohet kombi.
Deri ku mund të shkoj sakrifica e Uzunit për fanellën e Kombëtares?
Të jap edhe shpirtin për të!
Panuçi ishte për shumëkënd i padëshiruar, por të dha një dorë të madhe në debutimin e merituar. Është e moralshme që të gjitha kritikat t’i shkojnë ish-trajnerit për pikën ku jemi?
Në kujtesën time, Panuçi do të mbahet mend dhe pasi të kem lënë futbollin. Kjo pasi ishte trajneri i parë që më dha mundësinë që të vesh fanellën e Shqipërisë.
Një vlerësim real, i ka forcat Shqipëria për të fituar në transfertë ndaj Islandës?
Mundësitë janë pasi futbolli është i paparshikueshëm dhe mendoj se duhet t’ia dalim. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/