
Gjatë ditës së sotme kanë mbajtur konferencën për shtyp, dy nga lojtarët e Shqipërisë U-21. Bëhet fjalë për Kleandro Lleshin dhe Aristidi Kolaj, që luajnë përkatësisht me të rinjtë e Leganes dhe Sasuolos.
Lleshi ka vendosur theksin në faktin se pret një ftesë nga ekipi i parë i Leganes, për të luajtur në nivele të larta në Spanjë.
“Mikpritja e grupit ishte shumë e mirë, u ndjeva shumë komod. Të gjithë ishin me dëshirë dhe lojtarët shumë pozitivë. Sa i përket aktivizimit, i përket trajnerit unë kam për detyrë të stërvitem dhe të kryej detyrat që më takojnë, të tjerat ia lëmë kohës. Cdo gjë vjen me kohën, duke dhënë maksimumin tënd në çdo hap. Për ne ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme pasi duhet të marrim rezultat, kjo vjen për arsye se kemi luajtur 2 ndeshje në këto eliminatore dhe nuk kemi marrë atë qe duhet sa i përket rezultatit. Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe shkojmë për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Futbolli luhet 11 ndaj 11, ne kemi dhënë maksimumin por nuk kemi pasur edhe fatin me vete. Për momentin luaj me Leganes B por kontratën e kam me ekipin A, shpresoj shumë shpejt ti bashkohem, por është zgjedhje e trajnerit”, tha Lleshi sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të FSHF.
Nga ana tjetër, Aristidi Kolaj u shpreh: “Ne jemi një skuadër kombëtare shumë e bashkuar dhe po shkojmë në ndeshjen e Turqisë, për të marrë një fitore. Në Itali luaj me ekipin e Sasuolos U-19, kam bërë mirë në kampionat dhe për tu stërvitur stërvitem me ekipin A. Jam grumbulluar edhe për ndeshje miqësore të kombëtares dhe jam ambjentuar me shokët e ekipit”, ka thënë Kolaj. /Shqiperia.ch/