
Teksa na ndajnë edhe disa ditë nga publikimi i listës së Shqipërisë për ndeshjet e qershorit, sulmi mbetet pjesa më delikate për t’u diskutuar te kuqezinjtë. Futbollistët që luajnë në këtë rol, nuk janë në formën e tyre më të mirë.
Bekim Balaj është kthyer sërish në heshtje, ndërsa po gjente disa gola rradhazi me Akhmat Gronzin. Nga ana tjetër Armando Sadiku ka përfunduar në stol te Lugano, në vendin ku hapësira për sulmuesin shqiptar as që duhej të diskutohej. Për të vazhduar më tej, Sokol Cikalleshi ka realizuar vetëm disa gola në Kupën e Turqisë, megjithë pjesën tjetër që është për t’u harruar në kampionat.
Në këto kushte, trajneri Reja mund ta shoh zgjidhjen edhe te Sidrit Guri. Ky i fundit arriti të realizonte me Ostenden në ndeshjen e fundit, megjithëse statistikat nuk flasin në favorin e tij. Por përpara një thatësire të tillë, ish-sulmuesi i Kukësit mund të përfitojë për të qënë mes të grumbulluarëve për ndeshjet e qershorit. /Shqiperia.ch/