You are here
Home > Futboll Bota > Ekskluzive/ Çekiçi thërret nga Sllovenia: E ëndërroj Shqipërinë, ende nuk kam kontakt

Ekskluzive/ Çekiçi thërret nga Sllovenia: E ëndërroj Shqipërinë, ende nuk kam kontakt

Endri Çekiçi është duke kaluar një sezon fantastik në Slloveni, teksa me ekipin e Olimpik Ljubjanës po rigjen formën më të mirë. Prej kohësh kemi dëgjuar për këtë lojtar, megjithëse është vetëm 22-vjeç. Kjo pasi është i rritur në akademinë e Dinamos së Zagrebit dhe kjo nuk ka ndodhur shpeshherë me lojtarët shqiptarë.

Sa i përket skuadrës që është pjesë, Olimpik Ljubjana po arrin rezultate fantastike së fundmi, duke u gjendur në vendin e dytë dhe duke mundur Mariborin kryesues së fundmi, atje ku do të gjente rrjetën edhe Çekiçi. Në një intervistë për “Shqiperia.ch”, sulmuesi shqiptar është shprehur se e dëshiron ftesën e Kombëtares, megjithëse kontaktet mungojnë deri në këtë moment.

Shumë vite të kaluara në një nga akademitë më të mira në Europë. Sa shumë të ka ndihmuar Dinamo e Zagrebit në formimin si lojtar?

Dinamo është një ndër shkollat më të mira në botë sipas meje, jo vetëm në Europë. Duke u rritur atje me lojtarë shumë cilësor gjatë gjithë kohës, kjo më ka bërë mua që të rritem edhe më shumë si futbollist.

Kualitetin dhe aftësinë për të bërë diferencën, e ke shfaqur edhe tek të rinjtë e Shqipërisë. Çfarë të pengoi për të qëndruar në ekipin e parë të Dinamos së Zagrebit?

Pas momentit të dëmtimit që kam kaluar, gjërat ndryshuan disi. Pastaj shkova në huazim dhe pavarësisht se shpreheshin se besonin te aftësitë e mia, mungonin minutat. Zgjidhja më e mirë mu duk largimi.

Për të kaluar te Ljubjana. Gjithmonë po përdoret precedenti “Ajaks”. Italia ka gjetur Atalantën, ndërsa Sllovenia pikërisht ekipin që ju jeni pjesë. E shihni edhe ju kështu?

Olimpika është një ekip që çdo vit shet lojtar, ndoshta jo në nivelin e Dinamos, por ka raste të shumta që nga ekipi ynë shkojnë drejt ligave më të forta dhe me shifra të larta. Prandaj unë besoj se do të jetë një trampolinë e mirë.

Jo vetëm gola të shënuar, por edhe një saktësi “kirurgjikale” ke treguar së fundmi me Ljubjanën. Cilat kanë qënë vlerësimet e trajnerit dhe sa praktikohesh në stërvitje për këto gjuajtjet nga distanca?

Këto gjuajtjet nga distanca i kam praktikuar që nga koha kur isha në Shqipëri dhe janë të preferuarat e mia. E rëndësishme është që trajneri ka treguar besim dhe unë e vlerësoj këtë gjë.

Tashmë afrohen edhe ndeshjet e Kombëtareve. Ke pasur ndonjë kontakt nga Shqipëria dhe sa realisht e pret ftesën e Rejas?

Momentalisht nuk kam ende asnjë kontakt. Por si çdo lojtar shpresoj dhe e ëndërroj ftesën e Kombëtares. Tani më mbetet të vazhdoj formën time.

Mendon se me grupin aktual që kemi te kuqezinjtë, mund ta përsërisim menjëherë një kualifikim të mundshëm në Europian ashtu si edhe në Francë?

Shqipëria ka lojtarë shumë cilësorë dhe me besim, për mendimin tim mund t’ia arrijmë qëllimit ashtu si edhe në Europianin e Francës. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top