Loret Sadiku është padyshim rasti më i rrallë i lojtarëve shqiptarë dhe futbollisti më i pavendosur që ka ekzistuar për ne, në sportin e futbollit. Suedi, Shqipëri dhe Kosovë. Shumë enigma ka mbi planetin tokë, mes të cilave dhe ndjenja e mbrojtësit në fjalë.
Kë preferon më së shumti ky futbollist? Si një telenovelë e hapur është ky rast, ndërsa ekzistojnë disa pista se mund t’i bashkohet Kosovës në muajin qershor. Me Shqipërinë është kthyer si protagonist në dy raste të ndryshme, teksa fillimisht ishin kuqezinjtë që nuk e morën në konsideratë dhe më pas vetë Sadiku që do të refuzonte ftesën e Panuçit.
Dëshira e tij aktuale është për t’iu bashkuar Kosovës, por kjo për shkak sepse është e vetmja mundësi e ngelur. Më parë ky futbollist ka tentuar të luajë edhe me Suedinë, por pa mundur dot t’ia dalë. Nëse rikthehemi pak mbrapa në kohë dhe shohim fjalët e thëna nga ana e Loretit, ndoshta do të ishte më e mira që Kosova të heq dorë.
Dardanët kanë mjaftueshëm djem të rinjë të talentuar dhe futbollistë aktual, që garantojnë në formacion, por mbi të gjitha japin gjithë dashurinë e tyre për fanelën. Ndryshe nga e gjitha kjo histori, ndërsa për të kuptuar sadopak llogjikën e Sadikut, risjellim në vëmendje intervistën e tij të dhënë për mediat suedeze gjatë vitit të shkuar: “Po, unë jam lindur në Suedi dhe ndihem i tillë. Përse të mos luaj me të? Nuk e ndiej veten më pak suedez se të tjerët. E di që do dëgjoj fjalën tradhëtar, ashtu si Shaqiri dhe Xhaka. Shkruajnë gjithmonë keq për ta dhe i shajnë. Pastaj kur shënuan me Serbinë, i bën mbretër”. /Shqiperia.ch/