Vetëm një gjysmë sezoni i është dashur Mario Vrushajt për të bërë një “zhurme” të madhe në Holandë. Madje edhe ky jo i plotë, pasi talenti shqiptar ka mbërritur te Willem II gjatë merkatos së janarit.
Potenciali i tij? Nuk mjafton të futemi thellë në të dhënat e tij, që jep asist dhe shënon thuajse në çdo ndeshje në “Eredivisie”. Që në ndeshjen e parë debutuese me Willemin, Vrushaj do të arrinte të shënonte. Sportingu po e kërkon me ngulm këtë futbollist, që ta marrë në merkaton e verës. Madje zyrtarë të portugezëve kanë mbërritur në Holandë me qëllimin për ta parë më nga afër dhe për të bërë lëvizjet e tyre sa i përket këtij lojtari.
Ndërkohë Vrushaj edhe në ndeshjet e fundit të Kombëtareve zgjodhi t’i bashkohej Greqisë U-21. Kontaktet nga Shqipëria kanë qënë të shumta, por sigurisht që asnjë futbollist nuk mund të merret me forcë dhe kundër dëshirës së tij. Gjithsesi në këtë rast mbeten edhe pak shpresa, pasi edhe vetë lojtari pak kohë më parë e ka thënë qartë se i di rrënjët e tij: “Unë kam një emër dhe mbiemër shqiptar. Me shtetësi greke, por unë kam lindur në Shqipëri, andej nga më vijnë edhe prindërit. Kur isha tre vjeç, shkuam në Greqi”, u ka qartësuar Vrushaj idenë holandezëve para disa kohësh. /Shqiperia.ch/