
Eduardo Reja është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Shqipërisë, për të vazhduar në këtë mënyrë objektivin e arritjes në Europian, pas atij shkarkimi të Panuçit. Ish-trajneri i njohur u gjend në momentin dhe kohën e duhur në Shkodër, pasi askush nuk e kishte planifikuar atë largim të Panuçit pas ndeshjes me Turqinë.
Por përse erdhi Reja në Shkodër? Sigurisht, askush nuk hodhi fall se Shqipëria do të humbiste me Turqinë, apo edhe më tepër se trajneri Panuçi do e paguante shtrenjtë faturën. Reja punon si përgjegjës në akademinë e Napolit dhe erdhi për të vëzhguar disa lojtarë premtues gjatë ndeshjes Shqipëri-Turqi.
Sipas disa burimeve të pakonfirmuara, prania e emrit të njohur të futbollit italian në Shkodër, ishte edhe për Myrto Uzunin. Ky lojtar ka treguar një rendiment të jashtëzakonshëm në Kroaci, ndërsa në merkaton e verës nuk përjashtohet mundësia e një kalimi të mundshëm në Serinë A. Ende nuk dihet mbresa që mund t’i ketë lënë Uzuni trajnerit Reja, por nga dëshira për të marrë lojtarin nga Uznova, mund të përfundohet në ardhjen përfundimtare në Shqipëri. /Shqiperia.ch/