Kosova e ka ngritur shumë nivelin e saj të lojës dhe rezultateve në fushën e blertë, teksa nuk është mundur as në takimin e parë të kualifikueseve të Europianit. Madje dardanëve iu mohua fitorja nga fati, pasi shumë goditje drejt portës së Bullgarisë, nuk u shënjestruan në mënyrën e duhur.
Media të ndryshme të huaja dhe prestigjoze i kanë kthyer sytë nga ky realitet i ri, që ka marrë vëmendjen maksimale. Së fundmi është “Espn” që mes vlerësimeve të shumta për Kosovën, tregon nëpërmjet fjalëve të Ujkanit dhe vështirësitë e mëdha të fillimit.
“Ne ishim së bashku, por nuk e njihnim njëri-tjetrin. Përpara ndeshjeve, ne kishim vetëm dy stërvitje dhe nuk i njihnim emrat e njëri-tjetrit. Situata ishte pak a shumë e tillë: “Çkemi” në një ditë dhe “Si ishte emri jote më fal”, ditën tjetër. Por e kishim këtë ndjenjën, që ishim vëllezër së bashku. Fusha gjithashtu nuk ka qënë e mirë, pasi mund të dëmtoje menjëherë gjurin dhe të kishe probleme të shumta”, ka thënë Ujkani. /Shqiperia.ch/