Erdon Daci ka arritur të shënojë golin e parë me ekipin e parë të Konyasporit në Turqi. Bëhej fjalë për një ndeshje miqësore, atje ku ekipi turk ka fituar me rezultatin 2-1, ndërsa njëri prej golave erdhi nga sulmuesi shqiptar.
Ky i fundit ka shënuar shumë herë edhe me të rinjtë, ndërsa është grumbulluar në kampionatin turk nga Konyaspori, por pa debutuar. E kuptueshme kjo, pasi skuadra në fjalë po lufton për Europën dhe hapësirat janë të pakëta.
Gjithsesi sulmuesi Daci premton shumë për të ardhmen. Së fundmi ka përfaqësuar Maqedoninë, megjithëse zemra e tij “qan” për Shqipërinë. Media “Shqiperia.ch” e ka kontaktuar këtë lojtar, që e thotë hapur dëshirën e tij për t’iu bashkuar kuqezinjve.
Goli i parë me skuadrën e parë të Konyasporit ka ardhur në miqësore. Si u ndieve dhe sa e kishe pritur këtë moment?
Po ky ishte goli im i parë me këtë skuadër. Në fakt jam lumturuar shumë për këtë realizim, pasi e kisha pritur prej një kohe të gjatë. Megjithatë ka nevojë për punë ende.
Më herët ke qenë i grumbulluar nga Konyaspori edhe në kampionat. Kur do të vij momenti që të
Nuk e di këtë pjesë. Në këtë drejtim e vendos trajneri se kur do të më shoh gati, për të debutuar në kampionat me ekipin e parë.
Zakonisht kemi pasur eksperienca të hidhura për lojtarët shqiptarë në Turqi, që bien nga forma. Si të duket ambienti aty?
Mua faktikisht më pëlqen shumë jeta këtu. Thuajse gjithë njerëzit jetojnë për futbollin dhe në stadiume ka një atmosferë fantastike. Tifozët janë të tillë, që më bëjnë ta pëlqej këtë ambient.
Një ditë normale e Erdonit, si kalohet?
Stërvitje dhe punë. Më shumë momente kaloj duke u stërvitur në palestër, por edhe në fushë kam dëshirë të bëj ushtrime të tjera nga grupi.
Rrjetet sociale dhe varësia ndaj tyre. A je i varur nga interneti, apo të merr pak koha nga dita jote?
Kaloj një pjesë të madhe të kohës, por pa e tepruar pafundësisht.
Ke mbrojtur ngjyrat e Maqedonisë më herët. Ekziston mundësia për t’iu bashkuar Shqipërisë?
Po kam luajtur edhe për Maqedoninë. Shqipëria ka gati një vit që nuk më ka bërë thirrje. Kam qënë gjithmonë në kontakte, por asnjëherë nuk kam marrë ftesë.
Për të qënë më konkret, nëse të vjen ftesa nga kuqezinjtë, do e pranoje?
Po normale, sikur të gjithë shqiptarët edhe unë dua. Por nëse nuk ka ftesë, nuk mundem të bëj asgjë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/