Ish-kapiteni i Shqipërisë, Rudi Vata, nuk është kënaqur as këtë herë nga Kombëtarja. Pavarësisht fitores me rezultatin 0-3 ndaj Andorrës, Vata është shprehur se bëhej fjalë për një ndeshje të mërzitshme.
Faktikisht është e vështirë të gjesh një moment kur ish-kapiteni i kuqezinjve të jetë i lumtur për nivelin që tregon Shqipëria, prandaj në Andorrë nuk kishte sesi të ishte ndryshe. Në një prononcim për “RTSH”, Vata u shpreh se për t’u theksuar janë vetëm tre pikë e marrë nga skuadra në transfertë.
“Eksitimi më i madh gjatë atyre 90 minutave, ishte në fundin e ndeshjes. Unë mendoj se nga këtu janë për t’u veçuar vetëm tre pikët, pasi gjithë pjesa tjetër ishte e mërzitshme”, ka thënë Vata, që në momentin më të vështirë të Shqipërisë, kërkon edhe spektaklin që ndoshta Kombëtarja nuk e ka bërë në fushë edhe në ditët e mira. Fundja, na mjafton edhe një Kombëtare cinike, pasi në fundin e 90 minutave ajo që mbahet mend është gjithmonë rezultati. /Shqiperia.ch/