Shqipëria e ka humbur takimin ndaj Turqisë me rezultatin 0-2. Një rezultat shumë zhgënjyes ky për Kombëtaren, që ka bindur deri diku me lojën e saj. “Shqiperia.ch” publikon notat e lojtarëve titullarë të kuqezinjve, me interpretimin e saj duke parë atë që është shfaqur në fushë:
Berisha(4)- Një mbrëmje e errët për gardianin e Kombëtares. Dy goditje në portë dhe të dyja që shkojnë në rrjetë. Madje edhe në një goditje të tretë të Turqisë kur ishte ngritur flamuri për pozicion jashtë loje, sërish topi shkon në fundin e rrjetës. Në lojën me këmbë vazhdon të gabojë pafundësisht. Më keq, nuk mund të kishte!
Ardian Ismajli(6.5)- Më i miri i Kombëtares! Në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Me Ardian Ismajlin kundërshtarët nuk fituan asnjë duel të vetëm. Lorik Cana i ri? Ju kishim paralajmëruar. Vetëm rastësi që nuk ka në ndërhyrjet e sakta të këtij njeriu. Të mbush zemrën edhe në mes të një zhgënjimi të madh. Di të shkëlqej, edhe në mbrëmjen më të errët të mundshme.
Berat Gjimshiti(5)- Një lojë mesatare e mbrojtësit të Atalantës, që mund të bënte shumë më mirë në lojën e tij. Në golin e parë të pësuar, gabon pafundësisht me atë top të dhënë Xhakës, që e vendos në presion më kot, kur kishte edhe zgjidhje të tjera.
Frederik Veseli(4.5)- Nuk bind aspak me lojën e tij. Pavarësisht se Veseli luan gjithmonë titullar te Empoli, me Kombëtaren nuk e gjen formën më të mirë. I lehtë për t’u kaluar!
Hysaj (5)- Shiriti i kapiteni shërben që lojtari të veçohet nga pjesa tjetër e skuadrës, por shkodrani nuk e arrin magjinë as në shtëpinë e tij. Ndikon edhe forma jo e mirë te Napoli. Nuk bën shumë gabime, por as shumë magji. Nëse edhe Hysaj që është piaca më e lartë e Kombëtares nuk bën diferencën, atëherë kush do të mundet?
Balliu (5)- Në mënyrë surprizuese futet në formacion dhe lë një shije deri diku të mirë. Në pjesën e parë i afrohet golit duke e sulmuar bukur topin, por portieri turk ishte i vëmendshëm. Mund të bënte edhe më mirë, por klasën e kalon.
Memushaj(4.5)- Nuk ishte në mbrëmjen e tij! Vlonjati ka disa ndeshje që nuk po luan dhe nuk po gjen formën e tij te Shqipëria. Krosimet priteshin nga këmbët e tij, por të pakta ishin ato që vinin në zonë nga lojtari i Peskarës.
Xhaka(5)- Di t’i bëj të gjitha brenda 90 minutash, “të mirin” dhe “të keqin”. Në golin e parë, ishte Gjimshiti që e nxori si fajtor me atë top të ngecur. Në disa momente i jep frymëmarrje skuadrës dhe në të tjera e tepron me mbajtjen e topit.
Uzuni(6)- Një nga futbollistët më të mirë të Shqipërisë. Me Lokomotivën e Zagrebit ka treguar një nivel të jashtëzakonshëm, ndërsa edhe me Kombëtaren përpiqet ta bëj një gjë të tillë. Në pjesën e parë është i pandalshëm, ndërsa në të dytën i duhet t’i përshtatet edhe nivelit të lojës. Kur nuk funksionon Shqipëria, Uzuni nuk ka se çfarë të bëj më shumë.
Abrashi(5.5)- Kthehet pas një kohe të gjatë mungese te Kombëtarja. Të gjithë e prisnin me një interes të jashtëzakonshëm, por mesfushori i Frajburgut nuk është në gjendjen më të mirë. Sigurisht që është i justifikuar, pas gjithë atyre vështirësive që ka kaluar. Përpjekja nuk mungon, por ka edhe shumë vend për përmirësim.
Balaj(4.5)- Kjo është Shqipëria! Në ato pak raste që krijon, nuk duhet t’i fal. Balaj e bën këtë gjë, duke e falur kundërshtarin. Rasti i parë i artë i takon atij dhe sulmuesi tregohet më “i mirë” seç duhet. Pjesa tjetër, për t’u harruar. /Shqiperia.ch/