Shumë dëmtime e kanë përfshirë sërish Shqipërinë, në prag të ndeshjes së parë për kualifikueset e Europianit. Disi më e mirë duket situata e Turqisë, megjithëse edhe te këta të fundit nuk është se gjërat shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Për rezultate pozitive vuajnë edhe turqit, që kanë hequr dorë përfundimisht nga Mehmet Topal. Mesfushori 33-vjeçar që është një pikë kyçe e kësaj Kombëtare, është dëmtuar dhe nuk mund të luajë ndaj Shqipërisë.
Por nuk është vetëm lojtari i Fenerbaçes shqetësimi i trajnerit Gunesh. Pasi është konfirmuar edhe mungesa e Cengiz Under që luan me Romën, futbollisti më i mirë i Turqisë mbetet lojtari i Milanit, Calhanoglu. Por këto kohë nuk janë më të mirat edhe për këtë futbollist, që është kritikuar nga të gjithë për nivelin e treguar me Milanin.
Gjatë orëve të fundit, një “shuplakë” për Calhanoglu ka ardhur nga vetë drejtori sportiv i Milanit, Mirabeli, që është shprehur hapur i zhgënjyer për të. Në kushte të tilla, mesfushori nuk është i përqendruar tërësisht në lojë dhe turqit janë të shqetësuar se kjo mund të ndikojë edhe ndaj Shqipërisë. /Shqiperia.ch/