Shqipëria do të luajë takimin e parë për kualifikueset e Europianit ndaj Turqisë. Tifozët kanë një pritshmëri të madhe sa i përket fitores, duke mos negociuar me asnjë rezultat tjetër.
E kuptueshme kjo, pasi sportdashësit shqiptarë kërkojnë që të harrojnë gjithë zhgënjimin e marrë së fundmi nga Kombëtarja. Shpeshherë kemi dëgjuar edhe pohime rreth gjëndjes së Turqisë, duke e cilësuar si një ekip në rënie.
Kjo është e vërtetë, por nëse i futemi krahasimit, kuqezinjtë tanë dalin të humbur. Nëse marrim për bazë vlerën e lojtarëve në “Transfermarkt”, Turqia arrin në shifrën e 139 milionë eurove. Ndërkohë, Shqipëria nuk shkon më shumë se 63 milionë euro.
Futbollisti më i shtrenjtë i Turqisë është Cengiz Under, 31.50 milionë euro, por që fatmirësisht do të mungojë ndaj kuqezinjve. Ndërkohë lojtari më i shtrenjtë te Shqipëria, është Hysaj me 20 milionë euro. Krahasimi vijon të mbetet i njëjtë edhe sa i përket futbollistit të ri me më shumë vlerë, teksa Ozan Kabak në moshën 18-vjeç vlerësohet me 9 milionë euro dhe Enea Mihaj që është 20-vjeç, që vlen 720 mijë euro. Kur vjen puna te mosha mesatare, aty kemi një shenjë barazie deri diku, pasi Turqia e ka moshën mesatare 25.1 vjeç dhe Shqipëria 26.5-vjeç. /Shqiperia.ch/