Taulant Seferi është një tjetër futbollist shqiptar i së ardhmes, që garanton për Kombëtaren e pas disa viteve. Me Shpresat U-21 ka qënë gjithmonë futbollisti më i mirë, teksa jo vetëm arrinte të gjente rrjetën, por edhe merrte gjithë duartrokitjet e publikut me spektaklin e tij.
Ndërsa për të parën herë, ky lojtar nuk do të ketë fanellën e kuqezinjve. “Shqiperia.ch” konfirmon se Seferi nuk mund të jetë pjesë e Shpresave tona, për shkak se e ka mbushur moshën. Nga ana tjetër, ky emër nuk gjendej as në listën e Panuçit të publikuar në ditën e sotme.
Por ajo që ndryshon në këtë rast, është fakti se Seferi është shprehur për “Telesport” se do të presë gjithë jetën nëse është e nevojshme ftesën e Kombëtares, pa bërë asnjë presion për ndonjë braktisje të mundshme. Në një kohë si kjo aktualja, mes disa refuzimeve të ardhura rradhazi, vlerësimi për futbollistin që ia zotëron kartonin Young Boys, është më shumë se maksimale. Të lodhur nga tekat e “fëmijëve” që kërcënojnë me largim në mungesë të ftesës, Seferi futet te “burrat e pakët shqiptarë” që ngelen në qarkullim. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/