Tashmë kohërat kanë ndryshuar dhe sukseset e shqiptarëve janë të shumta e larmishme në botën e futbollit. Këtu nuk po flasim vetëm për aktorët e fushës, futbollistët, por edhe për gjithë njerëzit e tjerë që punojnë për të mbërritur deri në këtë produkt.
Me rastin konkret do të flasim për menaxherin shqiptar, Dorian Shkiran, që punon në agjensinë e tretë më të njohur në botë, SEG (Sports Entertainment Group). Pikërisht kjo agjensi drejton futbollistët më të njohur në botë, por pa harruar edhe ata shqiptarë. Memphis Depai, Stefan De Vraj, Kevin Strotman, Cilesen, Enea Mihaj dhe Enis Bardhi, janë disa nga lojtarët që zotërohen nga SEG.
Pjesë e kësaj agjencie është edhe Dorian Shkira, një menaxher shqiptar që ka arritur të hedh hapa të mëdha, në një moshë disi të vogël. Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, Shkira ka folur për gjithë punën e tij, por duke prekur edhe rastin e Mihajt.
Gjendesh në një agjencitë më të njohura sportive në Europë (SEG). Pikësëpari, sa e vështirë ka qënë për ty si shqiptar, mbërritja deri në këto nivele?
Fillimi ka qënë shumë i vështirë për mua. Kjo pasi në moshë disi të vogël, 24 vjeç dhe i huaj, kam pasur shumë dyer të mbyllura. Por falë përkushtimit dhe këmbënguljes, jam në agjensinë e tretë më të madhe në botë dhe gjërat kanë ndryshuar.
Njohim shumë futbollistë shqiptarë që janë në një nivel të lartë në Europë. Po sa i përket agjentëve shqiptarë, a janë të shumtë që kanë sukses në këtë fushë specifike të futbollit?
Aktualisht nuk më vjen ndërmend ndonjë agjent shqiptar i niveleve të larta. Por besoj se shumë shpejtë edhe Shqipëria do të ketë të tillë. Disa djemë të rinjë janë duke punuar shumë për këtë dhe do të jetë një avantazh i madh për futbollin shqiptar.
Pjesa më e vështirë e kësaj pune, cila ka qënë për ty?
Pjesa më e vështirë është gjithmonë faza kur ti punon për të marrë një lojtar nën menaxhim. Por tani fatmirësisht, punët më janë lehtësuar disi.
Kompania në të cilin ti je pjesë, zotëron edhe Enea Mihajn. Çfarë ndodhi konkretisht sa i përket çështjes së bujshme të Benfikës?
Benfika nuk ka bërë direkt ofertë zyrtare për Mihajn. Nga ana e tyre ka ardhur një interesim konkret, që vazhdon edhe aktualisht. Megjithatë nuk bëhet fjalë për një ofertë që na ka mbërritur në lidhje më këtë gjë.
Si e shikon të ardhmen e futbollistëve shqiptarë dhe pjesën e talenteve tona? A janë në plan për t’u marrë të tjerë në zotërim nga SEG?
Të them të drejtën, jam disi i shkëputur nga pjesa e të ndjekurit të futbollit shqiptar. Ka disa emra interesant që mund të bëjnë mirë dhe shpresoj se do ia dalin. Por te SEG kërkohen gjithmonë më të mirët në botë dhe aktualisht, nuk kemi ndonjë lojtar tjetër shqiptar në listë për ta marrë në menaxhim.
Sa e vështirë është për një menaxher që të mbajë lojtarin e tij të kënaqur, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të plotësohen edhe kërkesat e klubit? Pasi zakonisht ka edhe përplasje mes dëshirës së lojtarit dhe rregullave që vendos një klub i caktuar.
Faktikisht, kjo është puna më e vështirë. Ne mbrojmë interesin e klientëve tanë dhe klubet e dinë më së miri këtë gjë. Pothuajse gjithmonë gjendet një rrugëzgjidhe, pasi klubi mund të maksimizojë fitimet nga një lojtarë edhe falë agjentëve të tij, madje e kemi bërë shpesh këtë gjë.
Më parë ishte 10%(media, menaxher) dhe 90% aftësia e lojtarit për të ecur përpara. A jeni dakort që tashmë është përmbysur kjo përqindje, për të ndërruar vëndet?
Të dyja këto kanë një përqindje të madhe, por nuk është përmbysur. Menaxheri duhet të jetë i aftë t’i krijojë hapësirat e duhur lojtarit, ndërsa ky i fundit duhet të tregojë vlerën në fushë. Ndryshe ai bën bujën e madhe në verë për transferim te një ekip i njohur europian dhe pastaj do të bëj hapa mbrapsht nëse nuk paraqitet mirë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/