You are here
Home > Kombëtarja > Shqipëria është për të vënë duart në kokë, mediat braktisin më të mirët e Kombëtares

Shqipëria është për të vënë duart në kokë, mediat braktisin më të mirët e Kombëtares

Sa herë mund ta keni dëgjuar në jetën e përditshme, se në Shqipëri funksionon mbrapsht gjithçka? Ndoshta në shumë raste, e deri diku me të drejtë. Pavarësisht dëshirës për të qënë sa më mirë dhe për t’u shitur si të tillë, ndoshta fillimisht duhet të kurojmë “plagët” tona, që janë hapur aq shumë, sa na kanë dërguar edhe në një “sëmundje” të pashërueshme.

Me një vëzhgim të thjeshtë që “Shqiperia.ch” ka bërë në televizionet sportive shqiptare, vërehet se më të mirët e Kombëtares, janë braktisur në një mënyrë të turpshme. Ndoshta kjo edhe për shkakun e rëndomtë të interesit, që në vendin tonë ka arritur në majat më të larta.

Pra një reklamim në media kushton shumë, aqsa edhe puna e djersa e madhe e derdhur nën fanellë, nuk është e mjaftueshme për t’u paguar si çmim nga ana e një lojtari. Nëse marrim për bazë ndeshjen e fundit të Shqipërisë, atë të fituar ndaj Uellsit me rezultatin 1-0 e deri në kohën aktuale që flasim, kuptohet më së miri gjendja ku kemi mbërritur.

Dy nga futbollistët tanë më të mirë dhe që kanë shkëlqyer gjithmonë në klubet respektive, pa pasur luhatje qoftë edhe në një ndeshje të vetme, thuajse nuk ekzistojnë për televizionet sportive. Natyrisht që këtu flasim për Myrto Uzunin dhe Ardian Ismajlin, lojtarë këta që janë kthyer si udhëheqësa përkatësisht të Lokomotivës së Zagrebit dhe Hajdukut të Splitit.

Por në gjithë këto muaj, hapësira kohore në televizione për këta lojtarë apo të tjerë që po shkëlqejnë në fushën e blertë, ka qenë thuajse zero. Vendin e tyre e kanë marrë të tjerë protagonistë, që ndoshta mund të bëjnë gjithçka jashtë fushës, por ende asgjë nuk kanë bërë në të.

E gjitha kjo sjellje aspak profesionale dhe për keqardhje, dëmton edhe vetë këta futbollistë që mendojnë për Shqipërinë, edhe kur djersisin nën fanellën e klubeve të ndryshme europiane. Sepse në një vend normal, as që mund të imagjinohet sesi futbollistët më të mirë, të mos dalin asnjëherë në mediat e vendit të tyre. Tashmë të mësuar, me duart në kokë duhet të presim për të tjera ngjarje të bujshme që vijnë nga vetë ne shqiptarët, që historikisht kthehemi në të keqen e vetvetes. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top