Për trajnerin Panuçi nuk ka vetëm lajme të mira, ndërsa dëmtimet duket sikur po rikthehen sërish si një makth i vjetër për kuqezinjtë. Cikalleshi është futbollisti i parë që duket se e ka humbur mundësinë për t’u thërritur në Kombëtare pas dëmtimit që pësoi.
Së fundmi, është edhe Ermir Lenjani që ka pësuar një dëmtim. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm as në stol, në takimin që humbi Sioni gjatë ditës së sotme ndaj Xamax me rezultatin 3-1. Padyshim që flasim për lojtarin shqiptar më në formë të Shqipërisë në Zvicër, ndërsa te Sioni është përdorur thuajse në të gjitha pozicionet, duke përjashtuar sulmuesin pykë dhe portierin.
Nga ana tjetër, Odise Roshi mbetet sërish në rrezik për t’u grumbulluar, duke parë që nuk ka luajtur për asnjë takim me ekipin rus, pasi gjendet ende i dëmtuar. Por edhe gjendja e Eros Grezdës nuk bëhet e ditur te Rangersi, pasi nuk po grumbullohet nga ana e Gerrard. /Shqiperia.ch/