
Në fundjavën që lamë pas surprizat nuk kishin si të mungonin në kampionatet europiane, ku ndër to mund të përmendim edhe barazimin pa gola të Liverpulit ndaj Evertonit. Një rezultat ky që mund t’i kushtojë rëndë të kuqëve, pasi aktualisht e kanë humbur vendin e parë të Premier League, ku kishin afro më shumë se 4 muaj që ishin në krye. Pikërisht për këtë barazim, trajneri gjerman i Liverpulit, ka “fajësuar” kushtet atmosferike, ku sipas tij, era e fortë në “Gudison Park” ka penguar lojtarët për të zhvilluar një lojë më sulmuese.
Një deklaratë kjo që në Shqipëri tingëllon e dëgjuar, pasi e kemi hasur shpeshherë nga një trajner shqiptar si Shpëtim Duro, i cili gjatë kohës që drejtonte Flamurtarin e Vlorës është shprehur në të tillë mënyrë. Menjëherë këto fjalë kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa tifozë të ndryshëm nuk mund të qëndronin në heshtje përballë një materiali të tillë.
“Njerëzve nuk iu pëlqen kjo që them, por era po vinte nga të gjitha anët dhe kjo shihej në shumë raste. Nuk e ndihmonte lojën tonë, sidomos kur topi ishte në ajër. Sigurisht që është e vështirë të kontrollosh ndeshjen në kushte të tilla”, ka thënë Klop. /Shqiperia.ch/