Juventusi ka mundur me rezultatin 2-1 në transfertë Napolin gjatë mbrëmjes së djeshme, duke e mbyllur thuajse tërësisht edhe historinë e kampionatit. Sigurisht, jo se më parë ka pasur dyshime për ekipin që do triumfonte edhe këtë sezon në Seria A, pasi me lojtarët që bardhezinjtë zotërojnë në skuadër, titulli mbyllet si histori që në letër.
Por vendimtare në takimin e djeshëm, mbetet episodi para se të realizohej edhe goli i parë. Malkuit do të kthente një top tërësisht të gabuar mbrapa, ndërsa Ronaldo që ka përfituar kërkonte të kalonte edhe portierin kundërshtar.
Meret nuk e mendoi dy herë ndërhyrjen, duke dalë me karton të kuq nga fusha. Por pamjet më të ngadalësuara, e tregojnë qartësisht se nuk ka pasur një kontakt të qartë mes dy lojtarëve, ose më mirë jo deri në atë pikë aqsa të justifikojnë atë fluturim të Kristiano Ronaldos.
Elseid Hysaj do të ndalet pikërisht te ky episod në fundin e ndeshjes, duke shprehur habi për faktin që arbitri e refuzoi të shihte momentin e diskutueshëm në VAR.
“Ajo që bëri Meret? Sigurisht që këtu ka keqardhje, por gjyqtari duhej të shkonte për të kontrolluar VAR-in. Rregullat janë të qarta: “Nëse nuk ka kontakt mes lojtarëve, atëherë nuk ka as faull”. Por arbitri nuk e bëri një gjë të tillë”, u shpreh Hysaj. /Shqiperia.ch/