Atalanta ka barazuar me rezultatin 3-3 ndaj Fiorentinës në transfertë gjatë mbrëmjes së djeshme, në takimin e zhvilluar për Kupën e Italisë. Shumë gola të pësuar nga ana e ekipit të Bergamos, ndërsa me notat e publikuara nga mediat italiane, nuk është fajësuar aspak Etrit Berisha.
Pavarësisht numrit të lartë të golave, në Itali e drejtojnë gishtin nga paraqitja e dobët e qendrës së mbrojtjes te Atalanta. Kështu, Mancini ishte ai që zhgënjeu më së shumti, që nuk po ofron më një siguri të madhe për skuadrën e Gasperinit. Ky futbollist i ri ishte shndërruar në një titullar të padiskutueshëm tek kjo skuadër, falë edhe golave të shumtë që ka realizuar, megjithëse roli i tij është ai i qendërmbrojtësit.
Gjimshiti ka munguar në këtë përballje, për shkak të kartonëve. Mungesa e mbrojtësit shqiptar ndihej te Atalanta, që së fundmi po e aktivizon gjithmonë këtë lojtar. E njëjta përballje do të jetë sërish në datën 3 mars në Itali, por këtë herë për kampionat. Atje do të luajë nga minuta e parë Gjimshiti dhe po sipas mediave italiane, shqiptari do ia marrë fanellën e titullarit Mancinit. /Shqiperia.ch/