Kjo kohë nuk është edhe shumë e mirë për Etrit Berishën, që te Atalanta po kalon luhatje me karrierën e tij. Reflekset nuk po e ndihmojnë më portierin shqiptar për të bërë mrekullitë e tij të zakonshme, duke bërë që te klubi nga Bergamo të flasin edhe për një largim drejt stolit.
Në disa prej golave të pësuar së fundmi nga Atalanta, vihet re edhe pesha e fajit të Berishës, që me daljet e gabuara dhe të pasigurta, ia bën më të lehtë kundërshtarëve për të shënuar. Skuadra e Gasperinit do të përballet ditën e sotme ndaj Fiorentinës në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë, ndërsa mediat italiane janë të sigurtë për aktivizimin e portierit të ri, Golini.
Disi e çuditshme, por në sondazhin e krijuar nga “CalcioAtalanta” mbi portierin që trajneri duhet të zgjedh si titullar ndaj Fiorentinës, të gjithë tifozët ishin thuajse të prerë me mendimin e tyre: “Etrit Berisha”. Portieri shqiptar ka marrë 73% të votave, kundrejt 27% që ka Golini. /Shqiperia.ch/