Një ndeshje me ritëm të lartë pritej të ishte ajo mes Lacios dhe Milanit në Kupën e Italisë, por thuajse të gjithë mbetën të zhgënjyer nga ajo që u prodhua në fushën e lojës. Dy skuadrat dukeshin si të ishin të detyruara që gjendeshin në gjysmëfinalen e parë të Kupës, duke e pasur mendjen vetëm te kampionati.
Asgjë nuk u prodhua në fushë, duke hedhur poshtë gjithë krahasimet e mediave sportive para kësaj përballje. Në Itali kishin nisur të hulumtonin për statistikat e Piatek në takimet e fundit, duke i vendosur ato përballë Strakoshës.
Ky duhej të ishte dialogu i mbrëmjes së djeshme, që pritej të përsëritej në shumë raste. Por e vërteta rezultoi ndryshe, ndoshta duke surprizuar edhe vetë gardianin kuqezi. Në atë barazim pa gola, Strakosha nuk pati asnjë rast të rrezikshëm në portën e tij.
Si një adhurues i madh i muzikës “hip-hop” dhe veçanërisht këngëtarit Eminem, mund të thuhet se e vetmja gjë që i mungonin Strakoshës në takimin e djeshëm, ishin vetëm një palë kufje… /Shqiperia.ch/