
Taulant Seferi është më shumë sesa një lojtar me aftësi të jashtëzakonshme, por edhe një histori krenarie. Ende shumë i ri në moshë, 22-vjeç, por me shumë vepra në pak kohë. Te Shqipëria U-21 ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në krahë, duke realizuar disa herë me këtë fanellë.
Me klubin e Winterthurit po shkëlqen gjithashtu, si një huazim nga Young Boysi. Çfarë e veçon këtë lojtar nga të tjerët? Fillimisht spektakli që ai ofron në fushë. Pasimet që vijnë nga Seferi, janë nga ato që i surprizon kundërshtarët dhe marrin gjithë duartrokitjet e tifozëve.
Dëshira e këtij lojtari është t’i bashkohet sa më herët Kombëtares A, por pa vendosur kushte. Nëse më parë kemi dëgjuar “kërcënime”, me lojtarë që tregojnë derën nëse nuk thirren nga Panuçi, Seferi është rast i veçantë: “ Nëse nuk më vjen ftesa nga Shqipëria, të luaj me Maqedoninë? Do e pres deri në fund të karrierës nëse është e nevojshme ftesën e Shqipërisë. Në të kundërt për asnjë përfaqësuese tjetër”, ka thënë Seferi, një përgjigje që shkakton mornica në trup dhe që është shpërndarë edhe nga vetë lojtari në “Facebook” pas intervistës nga “Telesport”. /Shqiperia.ch/