E keni pyetur ndonjëherë veten se ku do të ishte Shqipëria, nëse gjithçka do të funksiononte si një makineri perfekte? Shumë larg me patjetër, por ja që në shumicën e kohës, shohim se modelet në vendin tonë janë ato që nuk thonë…asgjë!
Por jo në këtë rast, pasi Manuel Gaxhja thotë shumçka me karrierën e tij që sapo ka nisur e që flet më së miri se për cilin sportist bëhet fjalë. Vetëm 21-vjeç, por numëron 7 fitore në 7 ndeshje të zhvilluara. Le të mos harrojmë se flasim për MMA, atje ku fjala “dhuratë” thjeshtë është e dalë nga fjalori. Nëse një takim do të fitohet, atëherë duhet të dalësh me fytyrën e gjakosur dhe jo me flokët që qëndrojnë sërish me model e fytyrën e lëmuar pas ndeshjes, si të ishe në një sfilatë mode.
Rasti i Gaxhjas është një krenari më vete, i modeleve të reja që na ofrohen e që duhet t’i përqafojmë. Por ajo që të bën të mendohesh pafundësisht shumë, është krenaria dhe pohimi i sportistit në fjalë për vështirësinë e të lindurit në Shqipëri. Ende vazhdon me krenari të madhe të mbaj mbi shpinë flamurin shqiptar, por në një intervistë të gjatë për “Shqiperia.ch”, nuk ngurron të thotë se vendi ynë nuk lejon që talentet të zhvillohen. Emigrimi mbetet sërish e vetmja rrugë, e nëse këto fjalë dalin nga goja e një 21-vjeçari, atëherë kjo do të thotë shumë për pikën ku jemi aktualisht.
Luan në një sport të rrezikshëm dhe aspak të qetë. I tillë ke qenë edhe fëmijë, pra ai djali çamarrok që nuk i linte dy gurët bashkë?
Po në fakt si fëmijë kam qënë goxha energjik. Madje kur mamaja më flet për fëmijërinë time, kjo është shprehja që thotë për mua: “Nuk i lije dy gurë bashkë. Por tani ndodh e kundërta, në përditshmërinë time jam shumë i qetë dhe shpeshherë njerëzit e afërm shprehin çudi sesi mundem të bëj një sport të tillë. Pra Manueli i kafazit, nuk ka aspak lidhje me Manuelin e jetës së përditshme.
Çfarë të motivon kaq shumë për të qenë në nivel të lartë? Kur të duhet një forcë dhe motiv më tepër përfytyron dikë tjetër apo mendon për ndonjë person të dashur? (Në filma ndodh, megjithëse ka vend edhe për shumë Slow Motion)
Ajo çka më motivon më shumë është dëshira për të arritur majat, sidomos kur mendoj se ku e kam bërë nisjen dhe dëshira për t’i ofruar njerëzve spektakël. Gjithmonë kur ngjitem në kafaz kam ndjesinë e të qenurit “showman” dhe harroj gjithçka tjetër atë moment. Më duket sikur jetoj të gjithë jetën për një çast . Por gjithashtu e kam edhe personin që më motivon në jetën e përditshme, bile ajo se çfarë po përjetoj në vitet e fundit, ngjason shumë me historitë e filmave.
7 ndeshje dhe po aq fitore, ndërsa je vetëm 21-vjeç. Ndeshja e fundit shkoi disi më thjeshtë. Ka ndonjë sekret për një fitore të garantuar?
Jo se mendoj se ka sekret, receta ëshrë e njohur tashmë në botë, por jo të gjithë e zbatojnë atë. Stërvitja sistematike dhe dëshira për t’u bërë i suksesshëm besoj se mjaftojnë gjithmonë duke u shoqëruar nga faktorë të tjerë që gjithashtu kanë rëndësi të madhe, siç janë trajnerët profesionist, infrastruktura e duhur etj.
Sa shumë krenari të jep përfaqësimi i flamurit shqiptar?
Kjo është një ndjesi që nuk përshkruhet dot me fjalë, të mbash mbi supe shqiponjën e zezë nuk është vetëm krenari, por dhe një përgjegjësi e madhe. Ke përgjegjësinë të mos zhgënjesh ata që dhanë jetën për atë flamur, por edhe kundrejt popullit fisnik shqiptar.
Momenti më i veçantë që kujton deri tani në karrierë dhe cili ka qenë momenti i mëparshëm kur ke thënë…”Në rregull, tani po që do ia dalë”!
Një moment i tillë ka qenë kur më kontaktoj menaxheri për të qenë pjesë si ndeshja parakryesore në Bellator, që është evenimenti i dytë më i madh në botë, por për shkak të një dëmtimi nuk arrita të bëhem pjesë e tij.
Një nisje nga Shqipëria, por që kulmi do të vinte në tokën e huaj ashtu siç ndodh gjithmonë. Për të folur hapur dhe thjeshtë, sa vite dritë larg jemi më saktësisht?
Shikoni! Ekipi M.S.A. ishte realisht një evolucion për sportin në qytetin e Elbasanit dhe dua t’i falenderoj të gjithë për besimin e tyre. Ajo se çfarë me shtyri drejt vendimit që të largohem nga drejtimi i ekipit, por edhe nga Shqipëria, ishte pamundësia që të zhvillohem më tej si sportist. Edhe pse faktikisht trajnimi profesionist egzistonte falë Arbër Ukes dhe Ardjan Caushit, por mungonin gjëra të tjera elementare qe i nevojiten një sportisti, gjithashtu ishte dhe keqtrajtimi nga institucionet shtetërore përkatëse.
Përkundrazi, në Holandë kam gjetur përkrahjen që më nevojitej. Nuk më mungon asgjë që të mos arrij suksesin tashmë. Stafi profesionist egziston, përkrahja nga institucionet përkatëse dhe sponsora privat gjithashtu. Por edhe sportistat me të cilët stërvitem janë të një kualiteti shumë të lartë, pjesa më e madhe e tyre garojnë në UFC dhe Bellator. Njoh shumë sportistë në Shqipëri që kanë të gjitha mundësitë të ecin si përshembull Kevin Voci. Ta them në mënyrë të thjeshtë nuk i lë vendi dhe mënyra se si funksionojnë gjërat në Shqipëri, ose me saktësisht mënyra sesi nuk funksionojnë gjërat në Shqipëri.
Vlerësimet nga kundërshtarët vijnë në këtë sport? Si shkon marrëdhënia jashtë arenës?
Ajo çka ndodh në sportet luftarake është për t’u pasur zili nga gjitha sportet e tjera. Deri më sot mbaj mend që pas çdo gare kam diskutuar në formë shoqërore me rivalët, pasi gjithçka mbetet në ring ose në kafaz.
A i merr malli ndopak familjarët e tu për të parë në shtëpi? Pra qendron shumë orë jashtë duke u stërvitur?
Me siguri që i merr kjo për shkak se jetoj prej vitesh larg tyre, por në fakt orët që stërvitem janë shumë të pakta në krahasim me sportistë të tjerë. Kur nuk jam në fazë përgatitore stërvitem nga 1 orë deri në 1 orë e 30 minuta, ndërsa në fazë përgatitore koha mbetet e njëjtë, ndërsa shtohen një ose dy stervitje brenda ditës. Pra unë dhe trajnerët besojmë tek shprehja: “Train smart, not hard”.
Jemi vendi i vogël, por këtu dalim shumë luftëtarë. Vërtet jemi vend që prodhojmë kaq shumë në këtë drejtim, apo filtri i “Instagramit” i zbukuron të gjithë?
Shqipëria ka shumë talenta dhe aktualisht shumë luftëtarë cilësor dhe në fakt pjesa më e madhe, mos të themi të gjithë, nuk janë stërvitur kurrë në Shqipëri. Pra janë emigrantë ose fëmijë emigrantësh që kanë arritur sukses dhe nuk kanë harruar kurrë atdheun. Por sigurisht egzistojnë ata që perdorin “filtrin e Instagramit”, e në këtë fushë koha tregon gjithçka.
Në dylyftimin ndaj Skouras shprehje dëshpërimin që bastet janë ndaluar në Shqipëri, pasi njerëzit këtu do e bënin një dorë me fitoren tënde. Kaq e sigurt ishte?
Ishte më tepër në formë shakaje, por në duelin e fundit s’kam qënë aspak i sigurtë në vetvete pasi probleme të ndryshme s’më lejuan të jem fizikisht në gjendjen e duhur. Dëshira për fitore ishte shumë e madhe, prandaj fundi do ishte i njëjtë. Kjo pasi për herë të parë kisha në këndin tim trajnerin e famshëm nga Hollanda, Bert Kops. Gjithashtu shumë miq nga Shqipëria që erdhën të më mbështesin, mes tyre edhe këngëtari i njohur Young Zerka. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/