Benjamin Kololli është një nga lojtarët më të rëndësishëm të përfaqësueses së Kosovës dhe njëkohësisht të skuadrës së Zyrihut. Këta të fundit ditën e enjte kanë një përballje tejet delikate, teksa do të ndeshen me ekipin e Napolit, sfidë kjo e vlefshme për “Europa Ligue”.
Për këtë përballje është prononcuar mesfushori dardanas i Zyrihut, Kololli, që këtë herë ka dalë nga ajo çka e veçon. Kujtojmë që Benjamini prononcohet shumë rrallë për gazetarët dhe i refuzon thuajse gjithmonë pasi sipas tij, duhet të flitet vetëm në fushën e blertë. Për t’u mbajtur shënim kjo, pasi të pakëta janë rastet kur dëgjojmë e lexojmë fjalët e Kolollit.
Për median italiane “Calciomercato.it”, Kololli theksoi se skuadra e Napolit është një ekip shumë i fortë dhe i shpejtë. Ai veçoi si më të mirët e napoletanëve, Insinjen dhe Calehon, ku sipas mesfushorit dardanas, teknika dhe shpejtësia e tyre në fushë është tepër e lartë dhe ekipi i tij duhet të bëjë kujdes.
“Napoli është një ekip shumë i fortë, mbi të gjitha nga pikëpamja e cilësisë dhe ka shumë lojtarë të shpejtë dhe teknikisht të fortë si Insigne dhe Callejon.Në stadiumin tonë ne duam të tregohemi të fortë dhe të luajmë me inteligjencë. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të marrim një rezultat të mirë. Për ne kjo është një sfidë e madhe dhe një mundësi për të treguar anën tonë më të fortë. Do të jetë një ndeshje e madhe me një atmosferë të mrekullueshme, ne kemi tifozë fantastikë dhe në Letzigrund atmosfera është gjithmonë shumë e nxehtë”, u shpreh mes të tjerash Benjamin Kololli./Shqiperia.ch/