Plisat janë padyshim një nga grupimet e tifozëve më të mirë që ka treva shqiptare, sigurisht pa shuar aspak vlerën e të tjerëve.Tifozët që i përkasin Prishtinës, janë një krenari më vete, ndërsa asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim mbështetjen e tyre për Shqipërinë.
E kanë bërë në momentet më të vështira, e nuk mund të mungojnë edhe tani. Albert Kastrati, kryetari i Plisave nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka njoftuar edhe nisjen e procedurave për pajisjen me pasaportën shqiptare: “Vazhdoni të prisni liberalizimin, ne pajisemi me pasaport shqiptare”, ishte ky mesazhi i madh i dhënë krahas faktit për nisjen e procedurës ligjore.
Ndërkohë që në një prononcim ekskluziv për “Shqiperia.ch”, kohë më parë, Kastrati do të na tregonte edhe sakrificën e paimagjinueshme vetëm për Kombëtaren:
“Momente sakrificash për Kombëtaren ka shumë për ne. Njëri më i çmendur se tjetri, por i pari që më bie ndër mend, është ajo në ndeshjen e vitit 2005 kundër Ukrainës, në Tiranë. Ishte muaji shkurt dhe ishte tepër ftohtë. Disa nga anëtarët tanë kishin probleme me dokumentacionin prandaj vendosëm që të hymë në Shqipëri përmes malit. Dhe tani iu lutem vetëm që ta imagjinoni, një situatë të tillë.
E kalojmë kufirin përmes malit, temperatura minus 25 gradë celcius, bora mbi 1 metër e gjysmë, e ne nëpër një rrugë që nuk e dinim se ku të shpinte. U ndalëm në një bunker që të pushojmë pak, sepse e kishim gati të pamundur të vazhdonim për shkak të të ftohtit dhe borës. Për shkak se ishim të bllokuar, jemi detyruar që të dorëzohemi tek kufitarët e Shqipërisë. Kemi qenë të bindur se do të na arrestojnë, por kur na kanë parë se në çfarë gjendje ishim, ndodhi pikërisht e kundërta.
Ata nuk mund të besonin se çfarë po shihnin e se para syve kishin njerëz gati të ngrirë. Nuk po i besonin sesi kishim mundur t’u mbijetonim atyre kushteve, prandaj na morrën brenda në zyrë, na ngrohën, na ofruan pije e mbi të gjitha, na siguruan edhe transport deri në Tiranë. Pra, kemi qenë buzë vdekjes, por më besoni: “Kjo nuk është çmenduria e vetme që e kemi bërë”, do të shprehej Kastrati. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/