Kë do të dëshironit të zgjidhnit, realitetin e bukur e të hidhur (pak rëndësi ka), ashtu siç është, apo gënjeshtrën e bukur? Në kohët e sotme, djemtë modern zgjedhin këtë të dytën, për t’u pëlqyer më së tepërmi nga masa e madhe e njerëzve që manipulohen lehtësisht nga ajo që shohin.
Por ka edhe nga ata, si Dritan Barjamaj, që luftojnë vetëm për realitetin. Pjesa më e madhe e shqiptarëve e njohin, por për t’u risjellë në kujtesë, flasim për një nga luftëtarët e parë shqiptarë në MMA. Tashmë në moshën 40-vjeçare dhe vazhdon të mbetet në ring, duke luftuar me më të mirët. Ky është parimi i jetës për Barjamajn: “Gjithmonë sfido më të mirët, për të kuptuar nivelin tënd”.
Së fundmi, luftëtari shqiptar ka mundur brazilianin Gomes, në ringun ku lejohet luftimi i lirë. Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, Barjamaj ka bërë një rrëfim të gjatë, duke folur dhe shigjetuar disa “kampiona bote shqiptarë” të kohës moderne.
“Duhet një natë e gjatë dimri për t’i thënë të gjitha, e si i themi ne nga Shqipëria: “Të mbarosh një thesë kripë duke e ngrënë, nuk del koha”. Unë jam rritur në Mallakastër dhe atje buron gjithë dashuria për flamurin shqiptar.
E kam vrarë pak kofshën në ndeshjen e fundit, madje kjo më kushtoi edhe një përplasje të vogël me makinën nga mbrapa, ndikuar edhe nga bora e madhe. Që në fillim të ndeshjes së fundit e kam ndierë krisjen në kofshë, ndërsa kundërshtari po luante shumë me këtë pjesë, duke më kapur aty. Nëse do e kishte bërë këtë punë edhe për nja 30 sekonda të tjera, do isha dorëzuar. Nuk po e mbaja dot peshën e trupit, ndërsa trajneri nga krahu tjetër më tregonte sesi duhet të manovroja. Por ideja ishte, me çfarë të qëndroja? Pas pushimit të kundërshtarit që bëri në atë kapje, historia është e ditur.
Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por as e rëndë mund të them. Para ndeshjes ishte fjala për kundërshtarin më të fortë që kisha pasur ndonjëherë, një specialist me një karrierë të pasur që në moshën më të herët. Grushti im e kapi mirë, pasi shkoi rreth 80% e fuqisë së trupit. ”Nuk i fiku mirë dritat”, dhe prandaj mu desh që ta dërgoja deri në fund punën e nisur. Njihem në MMA si njeriu që i merr dyluftimet pa kokëçarje, nuk di të tërhiqem mbrapsht, madje kam luftuar edhe me një dorë të thyer. Dua gjithmonë të ndeshem me më të mirët, pavarësisht si shkojnë gjërat. E rëndësishme është fitorja, po jo aq sa të marrë ndonjë dorëthyer nga Serbia e të bëj zhurmë për t’u ngritur në piedestal. Ka sa të duash në Shqipëri nga këta lloj, madje edhe në botë.
Kjo i kushtohet disa “kampionëve bote” që unë u kam bërë të gjitha, edhe emrin, ndërsa ata kanë bërë “Followersat”. Ata që merren me këtë sport është e vështirë t’i ndikosh psikologjikisht. Po ka nga ata që unë njoh pak si shumë, që dalin vetëm nëpër pllakata e nuk duan të ndeshen, apo zgjedhin ndonjë pendshkundur për reklamim në internet. Këta pseudo-luftëtarë të MMA-së, në kohën kur janë burgjeve thonë “Allahu Ekber”, pastaj përfundojnë me kryqe nëpër trup. Pastaj i lëpihen disa njerëzve me lekë. Në Linz kam pritur e përcjell që nga morracak të ardhur e të ikur deri në kampiona bote, apo tek lepurat bullgar që dinë të rrisin vetëm bostan nëpër fabrika plasmasi. Ata që u blejnë organizime dhe u blejnë pendshkundur, historinë e të cilëve e dini.
Unë me kundërshtarët e mi kam raport shoqërie të mirë, madje shumë prej tyre janë trajner, vetëm unë vazhdoj duke i rrahur të tjerët. (Qesh) Shqiptarët i kam të gjithë me vete, në Bellator themi të shkojmë dhe të ndeshem me më të mirët. Fitore apo humbje, nuk ka rëndësi për mua, kryesore është dyluftimi i fortë. Unë jam ndër të parët shqiptarë që e kam nisur MMA, së bashku me Ilir Latifin, që e ka nisur diçka më vonë. Kam shumë respekt për Latifin, është i vetmi shqiptar që ka ecur në këtë sport. Shpresoj që Manuel Gaxhja, do të bëj diçka të mirë dhe po e arrin në Greqi, apo edhe Adrian Hadribeaj. Për të vazhduar më tej me Endrit Eminin që do të arrij shumë. Laçi përfaqësohet denjësisht në këtë arenë me nipin tim, Aldo Yzeirajn, që tani është dëmtuar, por mund të jetë edhe një zëvendësues i denjë i imi. Ka shumë të tjerë të rinjë, por unë kujdesem vetëm për pesha të rënda.
Tjetër, kemi edhe mister Selmanin. Ai e ndryshoi arenën e dyluftimit dhe shkoi te WWE. Nuk kam shumë respekt për WWE, por një bravo të madhe e jap për Selmanin. Për të mos harruar në fund edhe trajnerin Ismet Mandaran (Thaikibo Linz)”, u shpreh Barjamaj. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/