
Emir Sahiti është një futbollist për t’u vëzhguar më vëmendje, pasi aftësia dhe potenciali që mbart në vete është i madh. Aktualisht luan me të rinjtë e Shqipërisë, ndërsa ka refuzuar ftesën e Kosovës dhe Maqedonisë, ashtu siç do të pohonte vetë kohë më parë.
Madje, me fanellën e kuqezinjve U-21 do të arrinte edhe të shënonte 2 gola në gjashtë ndeshjet e zhvilluara. Ky futbollist është pjesë e Hajdukut të Splitit, ndërsa fillimisht iu bashkua të rinjëve të saj.
Situata ndryshoi që me ardhjen e trajnerit Orescanin. Ky i fundit mori drejtimin e skuadrës së njohur kroate, ndërsa më parë kishte të rinjtë e saj. Duke e njohur më së miri Sahitin, i ka dhënë hapësirën e nevojshme që shqiptari të tregojë aftësitë. Disa herë e ka thirrur këtë lojtar në kampionat, ndërsa e ka marrë edhe në kampin stërvitor që Hajduku i Splitit po zhvillon në Turqi.
Megjithëse ende nuk ka arritur të shënojë me fanellën kroate gjatë kohëve të fundit, sulmuesit 20-vjeçar i është dhënë gjithë besimi i nevojshëm, për të bërë një hap më shumë në karrierën e tij. /Shqiperia.ch/