“Kjo ishte një nofkë që ma ka vendosur trajneri im. Duke parë mënyrën time të luftuarit dhe shpirtin që vendos, më quajti si “ariu shqiptar”, ashtu siç personifikohem edhe sot”, kështu do të shprehej Reshat Mati për “Shqiperia.ch”.
Për të gjithë ata që nuk e njohin, flasim për një djalosh të rritur në Amerikë, por që është një nga patriotët më të mirë. Karriera e tij shkëlqen që në hapat e para, teksa në boksin profesionist, i ka fituar dy takimet e para, të parin ndaj një kundërshtari me 9 vite diferencë më të madh.
Por nuk janë vetëm këto statistika që flasin pozitivisht për Reshat Matin. Çdokush që e ka parë këtë boksier dhe mënyrën sesi ai stërvitet, mund të vendos menjëherë bastin se një ditë do të bëhet kampion absolut dhe jehona e tij do të dëgjohet gjerësisht në botë.
Tashmë Mati do të ngjitet sërish në ring, ndërsa kundërshtari i tij do të jetë boksieri ganez, Benjamin Borteye. “E gjithë dëshira ime, është që një ditë njerëzit të ndalen te posteri im e të thonë: “Dua të shoh Reshat Matin”. Kjo është ajo që dua, të fitojë shumë tifozë. Nuk dua thjeshtë të shes bileta, por të arrij majën dhe të kënaq shikuesit. Po planifikoja të përfaqësoja Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2020, kur më erdhi mundësia për ngjitjen në boksin profesionist. Sigurisht ëndrra të tilla nuk mund të lëshohen”, shprehet për mediat vendase ariu shqiptar. /Shqiperia.ch/