Ky është Edon Zhegrova, së bashku me stilin e tij. Shumë talent të dhuruar nga Zoti ka në këmbët e tij, ndërsa sjellja nuk ndryshon për asnjë arsye të vetme. Megjithëse e kritikojnë aq shumë për lojën individuale dhe kohës së tepërt që i kushton rrjeteve sociale, veçanërisht “Instagramit”, lojtari shqiptar mbetet po ai.
Kohët e fundit, si një adoleshent i marrosur pas së dashurës së tij, Edoni e tepron shpeshherë me postimet e tij, duke harruar faktin që është një personazh publik. Zakonisht në raste të tilla janë vetë protagonistët në fjalë që kërkojnë t’u shmangen thashethemeve nga jeta private, por kjo nuk ndodh me Zhegrovën.
E ndërsa ky i fundit i përkushtohet dashurisë, ekipet gjigande në Europë hidhen në garë për të. “Sportmediaset” ishte e para që raportoi se Milani po vëzhgon më nga afër Zhegrovën, me dëshirën për ta marrë në skuadër. Tashmë është “Calciomercato”, një tjetër prestigjoze italiane e cila shprehet se në garë për këtë talent është edhe Barcelona.
Sipas “Calciomercatos”, Zhegrova nuk pranoi me asnjë kusht thirrjen e Kosovës për t’iu bashkuar U-21, duke kërkuar vetëm bashkimin me përfaqësuesen e parë. Një e dhënë kjo që shërben edhe si tregues për lexuesit, që të kuptojnë se një lojtar i tillë nuk mund të bjerë në pakt me Milanin, për të shkuar tek të rinjtë e këtyre të fundit.
Gjithsesi, sido që të shkojë kjo histori, me siguri mund të thuhet se vetë futbollisti shqiptar nuk e kupton realisht peshën e madhe të këtij momenti. Dy klube legjendare në Europë vihen pas tij dhe sjellja e vetë lojtarit, qoftë edhe me postimet në rrjetet sociale, duhet të ishte disi më e ndryshme. Por Zhegrova ngelet po i njëjti adoleshent, i marrosur pas postimeve, fotove dhe lojës individuale për t’u dukur sa më shumë në fushën e lojës. Në një kohë kur kërkon që të gjitha kamerat të vihen në ndjekje të tij, Gatuzo mund të ishte i duhuri për të ndryshuar rrënjësisht talentin e një njeriu, që Zoti e ka përkëdhelur jo pak. /Shqiperia.ch/