
Mediat sportive e kanë bërë fakt të kryer largimin e Berat Gjimshitit. Nga Turqia në Itali, zërat për një transferim të mundshëm te Beshiktashi, kanë qenë të shumta, madje duke shkuar edhe pranë një zyrtarizimi.
Gjithsesi, mbrojtësi i Shqipërisë ka luajtur nga minuta e parë në takimin ndaj Kajlarit për Kupën e Italisë, atje ku skuadra nga Bergamo fitoi me rezultatin 0-2. Niveli i treguar nga ana e futbollistit shqiptar ka qenë mbi mesatare, duke bindur me performancën e tij.
Në fundin e ndeshjes, trajneri Gasperini nuk e ka anashkaluar Gjimshitin, duke theksuar faktin se nuk surprizohet nga niveli i treguar: “Gjimshiti nuk është më një surprizë për mua. Ai është i besueshëm në mbrojtje, ashtu si të gjitha zgjidhjet e tjera që kam”, u shpreh tekniku i Atalantës. /Shqiperia.ch/