
Teksa Skënder Loshi ishte duke u përgatitur si normalisht për të luajtur me të rinjtë e Nac Bredës, një thirrje aspak e pritshme do të vinte në telefonin e tij. Trajneri e kërkonte që t’i bashkohej ekipit të parë, për të bërë fazën përgatitore me skuadrën në Spanjë.
Me lumturinë e madhe që puna iu shpërblye, Loshi ka udhëtuar me skuadrën e parë holandeze. Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer deri tani në Holandë, teksa me të rinjtë, në 12 ndeshje ka realizuar 10 gola dhe ka dhënë 2 asist.
Këto statistika flasin saktësisht se për çfarë lojtari bëhet fjalë. Tashmë skuadra e Nac Bredas është kthyer nga faza përgatitore që zhvilloi në Spanjë, e nga nesër do të nis stërvitjen për takimin ndaj Willem II. “Shqiperia.ch” siguron në mënyrë ekskluzive se trajneri i Nac Bredas i ka premtuar një shans në “Eredivisie” talentit shqiptar, me kushtin e vetëm për të mbajtur të njëjtën ritëm pune. Përpara pak ditësh, Loshi në një intervistë për “Shqiperia.ch”, qetësoi tifozët shqiptarë duke thënë qartësisht se i përkiste vetëm Shqipërisë. /Klaudio Ndreca –Shqiperia.ch/