
Thomas Strakosha është një portier që të ofron garanci në prapavijë dhe me të ardhme të sigurtë. Megjithatë, për të pasur sa më tepër sukses, gardiani shqiptar ka shumë për të përmirësuar te vetja. Një prej çështjeve që duhet të ndiqet më vëmendje, është edhe ajo e penalltive.
Disi ironike është fakti që jehonën më të madhe Strakosha do e merrte pasi e priste një të tillë, teksa Dibala do të ndalej te shqiptari dhe Juventusit do i mohoej fitorja. Të gjithë kthyen sytë nga portieri i Shqipërisë, që me statistikat e penalltive, është për t’u harruar.
Lacio u përballë ndaj Novarës për Kupë në takimin e sotëm, atje ku fitoi me rezultatin 4-1. Goli i vetëm për miqtë, erdhi nga pika e bardhë. “Shqiperia.ch” raporton se ky ishte rasti i 39 që futbollisti kundërshtar gjendej para Strakoshës në pikën e bardhë në historinë e këtij lojtari, duke përfshirë edhe ndeshjet me Kombëtaren, me ekipin apo edhe ato me Primaverën.
Në 37 raste, topi ka përfunduar në rrjetë. Ndërsa rastit fatlum ndaj Dibalas, i bashkohet edhe një ndaj Fiorentinës, kur Strakosha luante me të rinjtë e Lacios dhe do të mbante portën e paprekur nga një penallti e ekzekutuar nga Bangu. Statistika këto që flasin qartë, nëse flitet për një penallti dhe Strakosha ndodhet në katërkëndësh, është njësoj si të jesh pa portier. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/