
Takimet mes Romës dhe Lacios janë gjithmonë të nxehta dhe tërheqin shumë vëmendje në futbollin europian. Flasim për një derbi që përjetohet shumë nga ana e tifozëve, ndërsa nuk janë të pakëta rastet kur situata del jashtë kontrollit sa i përket tifozëve.
Në datën 11 janar të vitit 2015, saktësisht përpara 4 vitesh, një “selfie” do të hynte në historinë e futbollit në Europë. Roma do të luante ndaj Lacios, atje ku aktivizohej edhe Lorik Cana asokohe. Një takim që solli shumë gola dhe emocione, pasi 90 minutat do të mbylleshin me rezultatin 2-2.
Por momenti kulminant do të arrihej në golin e dytë të Romës, në atë dopietë të legjendës Toti. Ky i fundit pasi barazoi rezultatin, mori një telefon në dorë të sjellë nga një prej njerëzve të stafit, duke e fotografuar atë moment me tifozët që ndodheshin pas tij në sfond. “E mendova këtë gjatë gjithë javës. Selfie është kthyer në modë. Mua më pëlqen ta mbaj privatësinë për veten time, por ishte mundësia më e mirë për të hyrë në histori”, do të shprehej Toti pas ndeshjes. /Shqiperia.ch/